Presidenti Thaçi nderon ‘Bacin’, me dekoratën “Hero i Kosovës”

10.04.2019 19:26:35
Presidenti Thaçi ka thënë se veprimtari Shaban Viqa, i njohur me nofkën “Baci”, i përket profilit të veprimtarëve dhe luftëtarëve që mbi të gjitha vënë interesin kombëtar, duke e shndërruar në kauzë dhe filozofi jete.

“Nuk ka si të jetë ndryshe, kur dihet se ai u edukua në një familje me përcaktim të qartë kombëtar. Ky përcaktim ka bërë që Shabani të jetë pjesë e lëvizjes patriotike kundër sundimit të Jugosllavisë dhe Serbisë që në vitet tetëdhjeta të shekullit që shkoi. Idealin e tij atdhetar më së miri e zbuloi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa asnjë hezitim, Shaban Viqa shtëpinë e tij në Greme e ktheu në bazë të UÇK-së. Ai ishte njëri nga pjesëmarrësit e Epopesë së Jezercit, një betejë e lavdishme e Zonës Operative të Nerodimes, por edhe në shumë beteja tjera”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se Shaban Viqa ishte një veprimtar i kalitur në lëvizjet patriotike të viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, veçanërisht në kuadër të Frontit të Rezistencës.

“Shabani nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë patriotike. Për fat, ai i shpëtoi burgosjes dhe dënohet në mungesë me 15 vite në fillim të luftës së viteve 1998, 1999”, shtoi ai.

Duke folur për veprimtarin Shaban Viqa, presidenti Thaçi tha se ai ishte ithtar i projektit për bashkimin e  shqiptarëve.

“Emri, jeta dhe vepra e Shaban Viqës janë të pavdekshme”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, veprimtarin e shquar Shaban Viqa – Baci, pas vdekjes, e nderoi me dekoratën më të lartë në Republikën e Kosovës, me urdhrin “Hero i Kosovës”.