Hashim Thaçi: Të rrisim gjeneratat që do ta ndërtojnë shtetin

05.09.2016 13:13:45

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka uruar të gjithë nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor. Ai në profilin e tij në facebook ka thënë se ata do të mësojnë edhe për të kaluarën tonë të dhimbshme, me përplot sakrifica, por shumë krenare.

“Sot filloi viti i ri shkollor dhe bashkë me të edhe angazhimi ynë për të përgatitur gjeneratat e reja për jetën, për botën e re. Jemi të lumtur që fëmijët tanë tash mund t’i gëzohen të ardhmes, ta presin pa frikë dhe të bindur se ajo do të jetë më e mirë për të gjithë. Ata do të mësojnë edhe për të kaluarën tonë të dhimbshme, me përplot sakrifica, por shumë krenare. Dhe mbi të gjitha, do të marrin dituri dhe urtësi që të mos lejojnë të përsëritet ajo”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, sot, ora e parë e mësimit iu kushtua shenjtërimit të Nënës Terezë, por në të ardhmen, në kurrikulat tona duhet të përfshihet edhe mësimi për mirësinë dhe dashurinë që e ka përcjellë ajo në mbarë botën.

Mbi këto themele, të krenarisë për të kaluarën dhe urtësisë për të ardhmen, sipas presidentit,ne duhet t’i rrisim gjeneratat që do ta ndërtojnë shtetin që e nisëm ne.