Profil/ Kush është terroristi që do ekstradohet në Gjermani, Policia e kapi në “minutën e fundit” të krimit

14.06.2020 10:28:22

Gjermania dhe Rusia, por edhe vetë Taxhikistani janë tre shtetet që “luftojnë” për të pasur në qelitë e burgjeve të tyre të riun terrorist Komron Zukhurov, emri i të cilit në 15 prill të këtij viti ishte në faqet e të gjitha mediave.

Por, më shumë se kaq, lajmi mori rëndësi, sepse ky person do të kryente një krim në Shqipëri. Një prej anëtarëve të grupit terrorist ishte ngarkuar nga organizata terroriste të kryente një vrasje në Shqipëri përkundrejt vlerës prej 40 mijë dollarë dhe për këtë ishte përzgjedhur Komron Zukhurov.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, Komron Zukhurov u kap në Shqipëri dhe tashmë është për të është marrë vendimi për ekstradimin në Gjermani.

Të dhënat e deritanishme dhe që konfirmohen dhe nga Policia bëjnë me dije se Komron Zukhurov nga Taxhikistani kishte për qëllim që të vriste pronarin e “Gulf”, Albano Alikon. Dhe për këtë do të paguhej 40 mijë dollarë.

Dhe e gjithë kjo në kuadër të gjetjes së financimeve dhe më pas nisjes së akteve terroriste, sipas planifikimit. Por, kontrata dështoi. Dy ishin arsyet. E para, pamundësia për ta kryer një gjë të tillë në Shqipëri, pasi bashkëpunëtorët nuk kishin liri veprimi dhe e dyta, pamundësia e lëvizjes e aq më tepër në kushtet e një pandemie.

Por Policia shqiptare bën të ditur një tjetër fakt. Ekzekutimi i biznesmenit nuk ndodhi për faktin se ai ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpiak”, shoqëruar me vendimin për ruajtjen me Polici.

Dhe mbi të gjitha ai u kap shumë më shpejt nga çfarë e kishte menduar. U kap pikërisht në minutat kur plani ishte drejt realizimit, ndonëse informacioni për të në rrugë të tjera ishte marrë shumë shpejt.

Krimi ishte menduar të kryhej në mesin e muajit mars, atëherë kur kaosi edhe me fluturimet ajrore ishte më prezent se kurrë. Ndërkohë, për këtë person dhe të tjerët dosja e hetimit ndodhet në duart e prokurorëve gjermanë. Autoritetet thanë se të arretuarit ishin në kontakt dhe merrnin udhëzime nga drejtuesit e lartë të Shtetit Islamik në Siri dhe Afganistan.