Prokurori Rexha: Do të kërkojmë ekstradimin e shtetasit turk Toksoy

12.12.2017 14:24:30

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet që të enjten të marr vendimin për shtetasin turk, Ugur Toksoy, nëse do të ekstradohet apo jo në shtetin turk .

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Ali Rexha.

Ai tha se nuk kanë marrë prova nga Ambasada turke, mirëpo me kërkesën e shtetit turk ai në seancën gjyqësore do të kërkoj ekstradimin e Toksoyit.

“Të enjten në orën 11:00 do të mbahet seanca. Ne si prokurori do t’i paraqesim të gjitha ato që ka kërkuar shteti turk në lidhjen me shtetasin e tyre. Nuk kemi marr prova nga ambasada turke. Presim vendimin e Gjykatës themelore”, ka thënë Rexha.

Ndryshe, Toksoyit i ishte ndërprerë masa e paraburgimit me zëvendësimin e masës së lirimit në dorëzani. Ai ishte arrestuar nga organet e Policisë së Kosovës në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar nën dyshimin për dhënien e ndihmës financiare organizatave që kanë lidhje me Lëvizjen Gylen në Kosovë.