Prokuroria franceze kërkon ende informata nga Serbia

09.02.2017 18:47:39

Gjykata franceze e Apelit e ka shtyrë për 2 mars vendimin për liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, kur pritet që të vendoset në lidhje me kërkesën për ekstradim të Haradinajt në Serbi.

Zëdhënësja e Gjykatës, Sandra di Rosi, ka thënë për agjencinë e lajmeve Tanjug se prokurori ka kërkuar informata shtesë nga Serbia për shumë çështje, përfshirë edhe saktësimin e dokumenteve të caktuara si dhe informata shtesë për procedurën penale në Serbi.

Ajo vuri në dukje se vendimi për rrjedhën e mëtejshme të procedurës do të shpallet më 2 mars dhe gjykata ka tri opsione.

“Mund të urdhërojë mbledhjen e informatave shtesë dhe të kërkojë edhe më tutje shqyrtim në një seancë tjetër. Po ashtu, mund të refuzohet ose të pranohet kërkesa për ekstradim”, ka thënë Di Rosa.