Prokuroria interviston shoferin e Komunës së Klinës për publikim të votës

19.11.2017 18:22:52

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Haxhi Sinanaj, ka njoftuar se e ka intervistuar shoferin e administratës komunale të Klinës si të dyshuar për fotografim të votës.

Prokurori Sinanaj njoftoi se rasti është iniciuar dhe se i dyshuari gjatë intervistimit ka mohuar që vetë ta ketë bërë një gjë të tillë.

 

“Ai pretendon se publikimin e asaj fotoje e ka bërë djali i tij, të cilën e kishte nxjerrë nga rrjetet sociale. Po ashtu, është vërtetuar se i dyshuari ende nuk ka votuar personalisht”, ka thënë prokurori Sinanaj për KALLXO.com.

Prokurori po ashtu njoftoi se sa i përket fletëvotimit e kanë konsultuar edhe kryetarin e KKZ-së, i cili kishte thënë se vula e vendosur në atë fletëvotim nuk duket të jetë vulë e rregullt.

“Ndaj të dyshuarit nuk kemi vendosur për asnjë masë. Jemi duke shikuar me policinë rreth vërtetësisë së atij fletëvotimi, nëse në ndërkohë vërtetohet e kundërta ne do të veprojmë konform fakteve të siguruara. Për momentin kjo është situata”.

Mediat gjatë ditës kanë raportuar për njërin nga shoferët e Komunës së Klinës, Zenel Bashota, i cili kishte publikuar në rrjetin social “Facebook” një fletëvotim, në të cilin shihet “tik”-u i votës së dhënë Sokol Bashotës, kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës.