Prokuroria merr në pyetje dëshmitarët lidhur me kallëzimet penale të PDK-së kundër Komunës së Prishtinës

13.10.2017 20:47:42

Pas deponimit të kallëzimeve penale nga dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, Prokuroria Speciale ka filluar të lëviz.

Me këto kallëzime penale drejtuar kundër Komunës së Prishtinës, javën e kaluar janë ftuar nga hetuesit policor pranë Departamentit Anti-Korrupsion të Prokurorisë Speciale, janë marrë në pyetje disa dëshmitarë.

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish sekretarit të VV-së, Dardan Molliqaj dhe disa drejtorëve komunal për punësimin e rreth 500 militantëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës. Ky ka qenë kallëzimi i parë penal.

Më pas, më 19 shtator, dega e PDK-së në Prishtinë ka dërguar në Prokurorinë Speciale edhe një kallëzim të ri kundër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish-drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Salih Zyba, Drejtorit të Financave në Komunën e Prishtinës, Ismail Kokaj, si dhe kundër ish-sekretarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

Ky kallëzim është bërë për lejet e dyshimta ndërtimore.