Protestuesit në Prishtinë kërkojnë shkarkimin e krerëve të Policisë së Gjakovës

11.08.2018 14:02:41

Me parullat “Boll ma drejtësi selektive”, “Shkarkime dhe përgjegjësi”, “Gruaja denoncon, policia injoron”, sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u mbajt protesta “Boll Mo” si reagim kundër vrasjes së dyfishtë në fshatin Brekoc të Gjakovës.

Luljeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, ka kritikuar sistemin e drejtësisë.

Ajo ka thënë se po lejojnë që temat si shkëmbimi i territoreve, t’ua mbyllin sytë qytetarëve karshi këtyre çështjeve.

Në këtë protestë është kërkuar shkarkimi i komandantit policor të Gjakovës, si dhe llogaridhënie nga Ministria.

“Institucionet tona nuk i kryejnë punët tona qysh duhet dhe askush nuk jep llogari. Çfarë shteti është ky që e lejon një nënë me vdesë… Nuk është problemi vetëm tek dhuna ndaj grave, problemi është nuk e mbron qytetarin e vet, nuk kërkon përgjegjësi prej institucioneve, sepse i kanë instalu ata njerëz për me i mbrojt pushtetarët e jo qytetarët”.

“Faji është i joni se na po lejojmë qe temat e mëdha për shkëmbim territoresh me na i mshel sytë, me na i mshel veshtë. Krejt duhet me dalë, me kërku shkarkimin e komandantit të policisë së Gjakovës. Kërkojmë llogaridhënie prej ministrisë”, tha Aliu.

Ndërsa Besnik Leka, ka thënë se përmes kësaj proteste po kërkojnë dënimin e kriminelëve, që listës me gra të vrara të mos i shtohet edhe një emër.

“Jeta e njeriut ka shumë vlerë për të gjithë fëmijët e botës”, ka thënë një fëmijë pjesëmarrës në protestë.

Marshi protestues po vazhdon drejt ndërtesës së Policisë.

Organizatorët kanë bërë thirrje që protesta të jetë paqësore, dhe pas një ndalese te Policia marshi do të vazhdojë drejt objektit të Qeverisë.