Pse organizatat ndërkombëtare bëjnë thirrje që shkollat të qëndrojnë të hapura gjatë...

Pse organizatat ndërkombëtare bëjnë thirrje që shkollat të qëndrojnë të hapura gjatë pandemisë?

01.11.2020 11:11:07

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Banka Botërore kanë bërë thirrje që shkollat nëpër botë të qëndrojnë të hapura gjatë pandemisë të shkaktuar nga coronavirusi.

Në një raport të lëshuar më 28 tetor, të tri këto organizata thanë se në kulmin e “mbylljes” për shkak të pandemisë, më shumë se 1.5 miliard fëmijë u prekën nga mbyllja e shkollave, gjë që sipas tyre, shkaktoi një krizë globale të mësimit të paprecedentë.

Problem për nxënësit e shkollave në vendet e varfra

Sidoqoftë, edhe para pandemisë mësimi ishte në krizë, kështu që këto tri organizata tërhoqën vërejtjen se gjysma e dhjetëvjeçarëve në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, nuk mund të kuptonin një fjali të thjeshtë të shkruar dhe se më shumë se një e katërta e një miliard fëmijëve nuk shkuan në shkollë. Pandemia e coronavirusit vetëm i ka përkeqësuar këto pabarazi, veçanërisht duke prekur nxënësit e shkollave në vendet e varfra.

Qeveritë kombëtare në mbarë botën shpejt zbatuan mësimin në distancë, protokolle të reja shëndetësore dhe plane për rihapje, por përsëri këto politika ndryshuan shumë bazuar në të ardhurat e secilit shtet.

Edhe pushimet e shkurtra në shkollimin e fëmijëve mund të kenë efekte negative afatgjata në mësimnxënien e tyre. Megjithëse përgjigjet e qeverive për sigurimin dhe mundësimin e mësimit në distancë kanë qenë të shpejta, këto organizata paralajmërojnë për rëndësinë e të kuptuarit se kush ka pasur qasje në mësimin në distancë, si janë përdorur këto metoda, dhe shkallën e efektivitetit të tyre.

Në përgjithësi, interneti dhe televizioni ishin metodat më të përdorura të mësimit në distancë, të pasuara nga materiale të shkruara për t’i marrë në shtëpi dhe mësimi përmes radios. Këto organizata gjithashtu vërejnë se përqindja e studentëve që nuk kanë qasje në internet në shtëpi ndryshon nga më pak se 15 për qind në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut deri në 80 për qind në Afrikën Sub-Sahariane.

Që nga shtatori i vitit 2020, shumica e vendeve kanë rihapur plotësisht ose pjesërisht shkollat e tyre. Planet për të rihapur shkollat, megjithatë ndryshojnë. Vendet me të ardhura të larta kanë më shumë gjasa të hapin shkolla krahasuar me vendet me të ardhura më të ulëta, ku ka më shumë të ngjarë që këto shtete të rihapin institucionet parashkollore.

Qasja për t’u kthyer në shkollë ishte gjithashtu e ndryshme, pasi vendet e pasura përdorën më shumë një kombinim të të mësuarit në distancë dhe mësimit individual (hibrid). Më shumë se gjysma e vendeve në botë kombinojnë arsimin në distancë dhe në klasa. Sidoqoftë, kjo qasje përsëri ndryshon shumë në varësi të të ardhurave të shteteve përkatëse.

Në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta, shkollat janë rihapur dhe nxënësit janë rikthyer në bankat shkollore. Ndërkohë, vendet me të ardhura të larta dhe të mesme kanë më shumë gjasa të përdorin skenarë të kombinuar të të mësuarit në distancë dhe mësimit individual.

Mësimi i kombinuar në rajon
Gjatë javës se kaluar, për shkak të paraqitjes së rasteve pozitive me coronavirus, si në mesin e nxënësve ashtu edhe të mësimdhënësve, 14 shkolla në Kosovë janë mbyllur, kurse mësimi ka kaluar online. Diellza Kukaj, zyrtare për informim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, i ka thënë REL-it se numri i nxënësve të infektuar me coronavirus është 130, ndërkaq i mësimdhënësve 148.

Ndryshe, Ministria e Arsimit në Kosovë ka paraparë që në këtë vit shkollor, mësimi të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.