Pse të njëjtat të dhëna nuk e kishin bërë Tomën të ishte i sigurt edhe më 9 nëntor se Astritin e kanë vrarë, por këtë siguri ia kanë dhënë gati një javë më vonë?

17.11.2016 13:59:22

Nga Rexhep Kastrati

Kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga vdekja e Astritit, dhe kur pritet të dalin rezultatet zyrtare, Tomë Gashi po vazhdon të këmbëngulë se Astritin  ekanë vrarë, duke bërë kështu edhe një përpjekje të fundit për të nërë atentat mbi të vërtetën për vdekjen e Astritit. Për dallim nga insinuata se Astriti ka vdekur disa orë para kohës së shetitjes, të cilën nuk e ka përsëritur më, kurse çështjen e peshqirit dhe sapunit në dhomën e Astritit, po e perdor për të aluduar dhe për të deklaruar se atë e ka vrarë dikush. “Unë kam qenë në obduksion të Astrit Deharit dhe e kam parë trupin e tij për dy orë e gjysmë. Ajo ka qenë detyra ime për të parë se çfarë plagësh ka dhe ajo që është tepër trishtuese. Ndër të tjera ne kemi pa me foto dokumentacion se është së paku një peshqir i mbuluar me gjak që është gjetur në dhomën e Astritit dhe është gjetur një sapun që është vërtetuar se fytyra e tij është pastruar pas vdekjes së tij. Ka një mori provash që unë besoj që ai është vrarë dhe jo vetëvrarë”. Mirëpo, Toma nuk thotë se si është e mundur që ai apo ata që mund ta kenë vrarë paskan pastruar fytyrën e Astritit dhe peshqirin dhe sapunin e paskan lënë aty. Nëse ai apo ata që mund ta kenë vrarë Astritin, kanë qenë aq gjakftohtë, e pse jo edhe profesionistë, atëherë do të ishin aq të kujdesshëm që të mos linin prova që do të nënkuptonin se Astritin e ka vrarë dikush. Pra, nëse Astritin do ta ketë vrarë dikush, do të ishte aq i kujdesshëm sa që të hiqte peshqirn dhe sapunin nga dhoma. Fakti se peshqiri dhe sapuni mund të kenë qenë në dhomë, nuk do të thotë se dikush tjetër i ka lënë aty. Ato mund ti ketë lënë ose vetë Astriti, ose ndonjë nga shokët e dhomës, kurse Astriti mund ta ketë përdorur për të fshirë gjakun nga duart. Dhe të kesh peshqir, sapun, shampo, kolladant, mjete të rrojës, është gjëja më normale. Dhe është dëshmuar se vetëm disa minuta më herët, Astriti ishte pastruar dhe rruar vetë. Dhe këtë po e them sikur të ishte plotësisht e mirëqenë ajo që thotë Toma. Por, kjo nuk do të thotë se është kështu si ka thënë Toma, aq më tepër kur thuajse kurrë nuk ka dhënë një version të vetëm të tijin për vdekjen e Astritit. Në anën tjetër, mundësinë që persona të panjohur të kenë hyrë në dhomën e Astritit që ta kenë sulmuar dhe vrarë, e bëjnë të pabesueshme edhe filmimet nga kamerat e sigurisë, të cilat nuk kanë regjistruar ndonjë person apo persona të panjohur të kenë hyrë në dhomën e Astritit, pasi që përveçse nëpër korridor nuk do të kishte pasur mundësi të hynin dikah tjetër. Po ashtu, edhe fakti se deri në kohën e shetitjes, Astriti për asnj6ë çast nuk ka qenë vetëm, madje edhe kur kanë shkuar për t’u pastruar, kanë shkuar grup (sigurisht në të ndara të veçanta) dhe janë kthyer bashkë. Pra, në asnjë rrethanë nuk ka pasur mundësi që të futet dikush në dhomë dhe të mos e vërenin edhe shokët e dhomës së Astritit. Pra, mundësia që persona të panjohur të hynin në dhomën e Astritit dhe ta vrisnin atë është e pakapshme.

E vetmja kohë kur Astriti ka qenë vetëm është koha e shetitjes së pasditës, kur edhe ka ndodhur gjithë ajo që i shkaktoi vdekjen. Edhe më të pabesueshëm këtë version që e thotë Toma e bën edhe fakti se ai ka thënë se Astriti ka vdekur disa orë para shetitjes, ndërkohë që edhe kamerat e sigurisë e shfaqnin në kohën e pastrimit kur edhe është rruar. Pra, Astriti ishte rruar vetë, e kishte hequr mjekrën vetë. Po ashtu, nga filmimet shihet se kur kanë hyrë në dhomë shokët e dhomës së Astritit janë befasuar dhe janë shokuar kur e kanë parë Astritin në gjendje të rënduar, dhe kështu ka ndodhur edhe me të burgosur të tjerë. Të kenë aktruar të gjithë këta? E pabesueshme.

Por kundër versionit të vrasjes së Astritit dalin edhe deklaratat e mëhershme të Tomë Gashit. Më 9 nëntor, pra 4 ditë pas vdekjes së Astritit, dhe pasi që është kryer ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e tij të pajetë, Tomë Gashi nuk ka qenë i sigurt se Astritin e kish vrarë dikush. Në “Rubikon” ishte shprehur “Nuk mund të them se është vrasje apo vetëvrasje”. Kurse tash shpreh siguri të plotë mbi bazën e gjendjes së trupit të Astritit në kohën e ekspertizës mjeko-ligjore, pra pa pasur ndonjë informacion, të dhënë apo provë shtesë. E pse të njëjtat informata, të dhëna dhe prova nuk e kishin bërë të ishte i sigurt edhe më 9 nëntor se Astritin  e kanë vrarë, por këtë siguri ia kanë dhënë gati një javë më vonë? Apo atëherë kishte në studio edhe kryeprokurorin Sylë Hoxha që e bëri për pesë pare dhe që e bëri Tomën të dukej si guak dhe të bllokohej? Pra tash kur janë bërë më shumë se dhjetë ditë nga vdekja dhe varrimi i trupit të Astritit, Toma paska fituar sigurinë se Astritin e ka vrarë dikush, por jo më herët! Mirëpo, edhe me këtë rast, ai përsëri del kundërthënës kur thotë “Fytyra e Astritit në obduksion ka qenë pa asnjë njollë gjaku. Ka qenë fytyrë e pastër. Ka qenë i rruar. Mirëpo nuk ka pasur kurrfarë shenja të dhunës në fytyrë. Ka pas shenja të dhunës në kokë dhe disa lëndime tjera në trup, por që ato nuk kane qenë vdekjeprurëse”. Pra, edhe sipas Tomës, Astriti nuk ka pasur njolla gjaku në fytyrë, nuk ka pasur shenja dhune  në fytyrë, por disa lëndime në trup dhe në kokë, nga të cilat nuk i ka ardhur vdekja. Atëherë po mbetet se i vetmi shkaktar i vdekjes është shishja nga e cila i është shkaktuar asfiksia. Ndërkaq, unë nuk e di se si dikujt mund t’i futet shishja në gojë kundër vullnetit të tij, pa e detyruar me dhunë? Pra, shihet qartë se këtu nuk shkon edhe në mënyrën qysh e shtron vetë Toma, sepse nga të vetmet shenja dhune dhe lëndimi nuk i ka ardhe vdekja Astritit, kurse në fytyrë nuk ka shenja dhune, kurse shishja ka qenë thellë e futur në gojën e tij. Po ashtu, Toma nuk thotë se lëndimet në kokë dhe në trup a ka mundur t’i ketë edhe për shkak të rrëzimit nga asfiksia e shkaktuar nga ngulfatja me shishe. Pra, edhe vetë mënyra qysh e përshkruan Toma, edhe të jetë krejt tamam kështu si thotë ai, nuk është bindëse dhe është me shumë kundërthënie dhe e paargumentuar.

Mirëpo, absurdi dhe kundërthëniet janë të mëdha edhe në variantin që ta ketë sulmuar dikush. Pra, që ta zëmë se lëndimet t’ia ketë shkaktuar dikush tjetër, që në fyt ta ketë kapur dikush tjetër, që në kokë ta ketë lënduar dikush tjetër, ato goditje do të ishin bërë për t’ia shkaktuar vdekjen, e jo që të mos ia shkaktonin atë. Po a nuk ka rezistuar fare Astriti? Kur mund të jetë sulmuar? Nëse sipas Tomës Astriti ka vdekur disa orë para kohës së shetisë dhe nëse edhe sipas Tomës ngjarja tragjike po del të ketë ndodhur në dhomë, a do të thotë se shokët e dhomës kanë qëndruar pasiv dhe kanë kqyr si dikush po ua mbyt shokun e dhomës?

Toma mund ta besojë po të dojë, por nuk di se kujt tjetër mund t’i mbushet mendja se ka mundur të ndodhë kështu.