Pse u ndan 390 mijë euro për organizatat e dala nga lufta? Flasin nga OVL-UÇK

17.12.2019 16:17:55

Qeveria në detyrë sot ndau 390 mijë euro për Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se kjo shumë është ndarë me kërkesë të organizatave, mirëpo nuk e ka specifikuar për çfarë saktësisht.

Nasim Haradinaj nga OVL-UÇK ka thënë se ndarja e këtyre mjeteve është premtuar qysh moti.

Ai ka thënë se kjo nuk është hera e parë që ndahet një shumë e tillë.

“Këto mjete janë ndarë për pjesën e invalidëve, dëshmorëve dhe veteranëve. Këto janë shuma që merren zakonisht, përpara kemi marrë për rehabilitimin e protezave dhe familjeve të dëshmorëve. Pra, edhe tani të gjitha këto janë për nevoja dhe rehabilitim të tyre”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se secila organizatë merr vendim se si do t’i dirigjojë këto mjete financiare.

Për organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së janë ndarë 81 mijë euro.

Për Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së 168 mijë euro dhe për Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së 141 mijë euro.