Qeveria e Kosovës e përkushtuar për rimëkëmbjen e Trepçës

28.02.2017 17:18:44

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e menaxhmentit, të sindikatës dhe një numër të minatorëve të Trepçës, me rastin e shënimit të Javës së Minatorëve, që shënohet për nder të 28 vjetorit të grevës së Minatorëve të Trepçës.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, u bisedua për problemet që janë me prioritet për Trepçën.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi përpjekjet, punën dhe kontributin e minatorëve në rimëkëmbjen e Trepçës, jo vetëm tani por në të gjitha proceset e shtetndërtimit.
“Kontributi i minatorëve të Trepçës ka qenë i rëndësisë esenciale në të gjitha proceset e ndërtimit të Kosovës, edhe në proceset e pavarësisë dhe të lirisë së Kosovës dhe janë çështje, të cilat i vlerësojnë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por i vlerësojnë të gjithë edhe më gjerë sesa në Kosovë”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa theksoi përpjekjet maksimale të Qeverisë për rikthimin e Trepçës në një dimension krejtësisht të ri.

“Është vështirë që të kopjohet gjendja që ka qenë përpara. Tash duhet të bëjmë diçka të re, sepse kemi të bëjmë me tregje të reja, me teknologji të re, me dije të reja dhe me ju bashkërisht ato t’i bëjmë”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se është aprovuar Ligji dhe ka kaluar edhe sfidën e Gjykatës Kushtetuese dhe po punohet për përcaktimin e kritereve për zgjedhjen e bordit, shpalljen e konkursit, në mënyrë që të jenë njerëzit më të mirë që e njohin punën, që e njohin atë fushë dhe mund të kontribuojnë që Trepça të zhvillohet si duhet.

“Është gati studimi i fizibilitetit dhe është zhvilluar një debat para disa ditëve. Edhe aty po presim një përgjigje se çka po thotë ky studim, çka duhet të bëhet më tutje për fazat e tjera të Trepçës, në fazën e përpunimit, finalizimit të produkteve, të shkritores, të metalurgjisë së zinkut, të industrisë kimike dhe në qoftë se duhet të bëjmë diçka tjetër, duhet që studimet të na tregojnë se cila është mënyra më e mirë e financimit të investimeve në të ardhmen.

Por, ne do të mbesim të përkushtuar që të kemi investime atje dhe të finalizojmë produktet e Trepçës, mirëpo krejt me një koncept të ri”, theksoi kryeministri.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa tha se për të gjitha këto nevojitet bashkëpunim i të gjithëve, në mënyrë që të gjendet rruga më e mirë.

“Është mirë që situata në vitin e kaluar ka qenë më e mirë sesa një vit përpara. Shpresoj se tash në vitin 2017 do të jetë edhe më e mirë, mirëpo ajo që na duhet të kemi parasysh është që gjithmonë duhet të kemi pak durim, duhet t’i peshojmë gjërat mirë, ato që i dërgojmë përpara t’i matim, në mënyrë që mos të kthehemi dy herë të bëjmë të njëjtën punë dhe në këtë aspekt unë ju siguroj se, edhe unë si kryeministër, edhe zëvendëskryeministri Kuçi dhe ministri Stavileci, dhe të gjithë të tjerët do t’ju përkrahim maksimalisht dhe do të bashkëpunojmë me ju”, tha kryeministri Mustafa.

Drejtori Menaxhues i Ndërmarrjes Trepça, Ahmet Tmava, tha se përkundër problemeve të shumta, këtë vit “Java e Minatorëve” është shënuar me një gjendje më të relaksuar, duke shtuar se ethet se Trepça do të hyj në procedurë të likuidimit i takojnë të kaluarës.

“Është emergjente që Ligji të zyrtarizohet në aspektin e obligimeve që dalin. Në këtë periudhë të tranzicionit kemi bashkëpunim të plotë me MZHE-në”, tha drejtori Tmava, duke theksuar se janë të gatshëm që t’i marrin të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat që u takojnë.
Drejtues të sindikatës paraqitën kërkesat e tyre për formimin e Bordit të Trepçës, për Ligjin për Pensione, njohjen e përvojës së punës së minatorëve gjatë viteve të 90-ta, por edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit mes MZHE-së, menaxhmentit dhe sindikatës për adresimin e çështjeve që lidhen me minatorët e vdekur në vendin e punës dhe çështje të tjera.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës