Qeveria e Kosovës e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Malin e...

Qeveria e Kosovës e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Malin e Zi

07.12.2016 19:44:01

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ambasadorin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha.

Gjatë takimit, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ambasadori Dinosha e ka informuar kryeministrin Mustafa për ekspozenë në Kuvendin e Malit të Zi nga kryeministri i porsazgjedhur malazez, Dushko Markoviq, si dhe për prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Malit të Zi.

Kryeministri  Mustafa vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimin e përbashkët për zgjerimin e miqësisë.

Kryeministri po ashtu, tha se Kosova është e interesuar për thellimin e marrëdhënieve me Malin e Zi, me theks të posaçëm në rrugën integruese evropiane.

Edhe ambasadori Ferhat Dinosha, shprehu vullnetin e plotë të Malit të Zi dhe të Qeverisë së re për thellimin e relacioneve, shkëmbimeve si dhe bashkëpunimit bilateral me Kosovën.