Qeveria procedon në Kuvendit Projektligjin e Amnistisë

28.02.2018 19:50:53

Në mbledhjen e radhës, Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për Amnisti dhe ka miratuar nismën për lidhjen e protokollit me Qeverinë e Republikës së Turqisë, në lidhje me shkëmbimin e personelit.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha deklaroi se kjo nismë synon të krijojë kushte për shkëmbim të personelit në mes të shtabit të përgjithshëm të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Qëllimi i këtij protokolli është që të krijojë kushte në lidhje me shkëmbimin e personelit, në mes të shtabit të përgjithshëm të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe detyrat kompetencat dhe përgjegjësit gjatë shkëmbimit të këtij personeli. Ky protokoll mbulon personelin të cilët janë anëtar të Forcave të Armatosura Turke dhe ato të Kosovës, të cilat marrin pjesë në aktivitete të ndryshme që do të realizohen në mes palëve dhe njësive përkatëse” ,tha ai.

Në këtë mbledhje, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar që të definohet çartë statusi i zjarrfikësve të Kosovës.

E për këtë ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka deklaruar se Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar që zjarrfikësit t’i kthejë në menaxhimin të tyre, si në aspektin financiar ashtu edhe operativ.

“Unë jam duke punuar që t’i kthejmë në menaxhimin total edhe financiar edhe operativ brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në këtë mënyrë do të mund të punojmë edhe në rregullimin e kushteve të tyre si në formën e pajisjeve ashtu edhe në përgatitjen profesionale. Në mënyrë intensive, do të punojmë që t’i kthejmë në status normal, sepse këta persona në vendet tjera konsiderohen si heronj, tek ne kanë mbetur në njëfarë mënyre hibride”, tha ai, raporton KosovaPress.

Lidhur me këtë ministri i Financave, Bedri Hamza tha se zjarrfikësit kanë nevojë për përkrahje, dhe sipas tij kjo duhet të rregullohet përmes proceseve të rregullta buxhetore, me rastin e rishikimit apo me rastin e buxhetit të rregullt vjetor.

Gjatë kësaj mbledhje Qeveria e Kosovës miratoi nismën për negocimin e Marrëveshjes së Grantit me Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës për financimin e projektit “Programi Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në zonat rurale, Faza VI”.

Ministri i Financave Bedri Hamza tha se kjo nismë, është e rëndësishme për të përmirësuar rrjetin e ujit të pijshëm në vend.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Strategjinë Sektoriale dhe Planin e Veprimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 2018-2022.

Ministri i Punëve dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka deklaruar se kjo strategji synon të përmirësoj politikat e punës, si dhe të ul nivelin e popullësisë me fokus të veçantë për të rinjtë dhe gratë.

“Qëllimi kryesor i kësaj strategjike është përmirësimi i politikave dhe shërbimeve publike në fushën e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve dhe synon që të udhëzojë dhe të koordinojë veprimet e institucioneve që të kontribuojnë në arritjen e objektivave zhvillimore të parapara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, uljen e nivelit të papunësisë me fokus tek të rinjtë dhe gratë, ngritjen e aftësive profesionale dhe fuqisë punëtore”, tha ai

Po ashtu gjatë kësaj mbledhje Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete me vlerë prej 50 mijë euro për Këshillin Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentit, mjetet që do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve që kontribuojnë në marrëdhëniet midis komuniteteve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Qeveria ka aprovuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 13/06, të datës 3 tetor 2017, sipas të cilit pika 1 e vendimit zëvendësohet me “Aprovohen lehtësirat për ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ, për strukturën e pagesave të ujit”.

Kryeministri ka njoftuar kabinetin për Samitin e Londrës me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projekteve zhvillimore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai e vlerësoi Samitin, si një ngjarje të mirë dhe plotë shpresë për përfitimet e financimit të projekteve në Kosovë.

Qeveria gjatë mbledhjes së 33-të ka miratuar vendimet për miratim të buxheteve komunale për vitin 2018, të komunave Suharekë dhe Kamenicë