Rama me familjet e përmbytura: Do ju dëmshpërblejmë të gjithëve

28.12.2016 15:45:56

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fushë Krujë në një takim me familjet e prekura nga përmbytjet. Gjatë fjalës së tij Rama tha se përmbytjet e vazhdueshme në këtë zonë  kanë ndodhur për shkak të shkatërrimit të madh. “Kanë ndodhur shumë barbari me pyjet, me kanalet kulluese me veprat e infrastrukturës  . Për vite të tëra njerëzit janë inkurajuar të ndërtojnë ku mundin. Morëm një “shtëpi” me shumë borxhe, me themele në ajër, kemi nisur t’i forcojmë. Do ju dëmshpërblejmë një nga një.

Ne kemi filluar të investojmë për ta transformuar bashkinë e Krujës, por duke mos lënë mënjanë as Krujës dhe as ndonjë bashki tjetër ku duam të ndërtojmë njësi ekonomike. Kruja ka potenciale shumë të mëdha, historike, natyrore dhe patjetër edhe njerëzore. Ajo që është bërë me Krujën është e pashembullt në histori, siç ia hëngri malet Saliu Krujës, asnjë sulltan dhe gjithë sulltanët bashkë nuk ia hëngrën. Malet i gjetën dhe i lanë aty, ndërkohë që një zonë kaq e rëndësishme e historisë jo vetëm të Shqipërisë, në 20 e kusur vitesh u kthye në një platformë guroresh dhe çimentoje. Shumë shpejt do të nisë ndërtimi i rrugës që lidh Thumanën me Krujën, ndërkohë që do të investojmë në zonën historike dhe poshtë këtu në Fushë Krujë.