Rama: Vettingu nuk ka nevojë për dialog

04.03.2017 18:22:03
Kryeministri Edi Rama është shprehur se do të dialogojë me opozitën pa kushte, duke qënë e hapur për të dëgjuar çdo kërkesë të saj.
I pyetur nga gazetarët për kërkesën e opozitës për qeveri teknike, Rama tha se është sovrani që ai vendos se kush është në pushtet e kush në opozitë.

“Ne do diskutojmë çdo gjë. Opozita ka të drejtë të kërkojë qeveri teknike, hidraulike, inxhinierike. Ne kemi detyrën t’i dëgjojmë kërkesat e saj, por jo t’i plotësojmë. Është momenti që PD të mos përfitojë dhe keqpërdorojë faktin që ka 50% mundësi në ligjin për vettingun. Opozita ka detyrë të zbatojë Kushtetutën. Në çadër mund të qëndrojë sa ta shohë të arsyeshme për çështje të tjera po jo për vettingun. Askush nuk mund ta ndalë dot vettingun”, është shprehur Rama.

Ndonëse nuk përcaktoi formatin e tryezës së dialogut, kryeministri la të hapur diskutimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Me opozitën nuk kemi çfarë të negociojmë, por kemi çfarë të bisedojmë. Nëse opozita është vërtet e shqetësuar për zgjedhje të lira e standarde më shumë se kemi pasur në zgjedhjet e kaluara, është e mirëseardhur. Ne jemi gati të dëgjojmë dhe propozimet konkrete të saj”, tha Rama.

Deklaratat e kryeministrit erdhën pasi firmosi në krah të ish-kryeministrit Majko në çadrën e vendosur në parkun Rinia, pak metra larg asaj të opozitës, peticionin e shoqërisë civile në mbështetje të ligjit të vettingut.