Ramush Tahiri e ka gabim: nuk ka shkëmbim paqësor të territoreve!

15.02.2018 18:59:54

Nga Rexhep Kastrati

Ramush Tahiri ka hapur siparin e legjitimitetit të shqetësimeve për debatet për të ashtuquajturin shkëmbim territoresh, duke theksuar se për këtë temë mund të negociohet pasi që dy shtetet ta njohin njëra-tjetrën.

Një tezë të këtillë, Ramush Tahiri nuk e ka lëshuar kot, pasi që si protagonist i zhvillimeve politike në vend që në kohë më të hershme, ka informacione për proceset, pra edhe për proceset negociatore.

Unë dua të besoj se Ramush Tahiri e di se pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila pos luftave të shumta, është bazuar në do parime ndrëkombëtare që janë bërë të njohura si Parimete Badinterit, e të cilat parime janë përcaktuar edhe në kuadrë të parimeve të Grupit të Kontaktit për Kosovën, që ka shërbyer si bazë për negociatat e Vjenës nga ka dalë edhe Pakoja e Ahtisarit.

Parimi kryesor i Badinterit, përkatëisht i Grupit të Kontaktit për Kosovën ka qenë mosndryshimi i kufijve të ish-njësive federlae të shndërruara në shtete të pavarura. Madje edhe në kushtetutën e Kosovës, përkatësisht në paragrafin 1, Kosova është e pandashme, kurse në paragrafin 3 të nenit të parë të saj, është e përcaktuar se Kosova “nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.”, me çka është mbyllur çdo mundësi negocimi paqësor për ndryshim të kufijve të saj.

Prandaj, e kam theksuar vazhdimisht se e vetmja mënyrë për të rihapur çështjen e kufijve në Kosovë, është vetëm forma e dhunshme, destabilizimi dhe një konflikt ndëretnik që do të krijonte rrethana për skenarë ukrainas në Kosovë.

E ngjarjet e viteve 2015 – 2016 kanë pasur pikërisht përqëllim që të destabilizojnë Kosovën, të nxisin konflikt ndëretnik dhe kështu të krijoheshin rrethanat për një ndërhyrje serbe në veri të Kosovës.

Pa këto, nuk mund të ketë as ankesim të njëanshëm të veriut nga Serbia, sepse mandati i KFOR-it është që të mos lejojë të futet ndonjë ushtri tjetër në territorin e Kosovës të njohur në bazë të kushtetutës së vitit 1974 dhe të konfirmuar edhe në kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, ajo që mund të kuptohet indirekt nga deklarimi i Ramush Tahirit, është se ka mundësi që Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq janë duke negociuar shkëmbim territoresh, por edhe për mënyrat si të ndodhë kjo, pra edhe për mënyrat për destabilizimin e Kosovës apo krijimin e ndonjë konflikti ndëretnik.

Në fakt, ka gati 20 vjet që kam paralajmëruar për angazhimet e linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste për ndarjen e veriut dhe për krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, dhe kam denoncuar veprimet konkrete të kryera në këtë drejtim që nga krijimi i ndarjes etnike të Kosovës gjatë dhe pas luftës, konsolidimin e kësaj ndrjeje, legalizimin ndërkombëtar dhe zyrtarizimin kushtetues të kësaj ndarjeje, si dhe veprimet negociuese në vazhdimësi e deri më tash.

Prandaj, paralajmërimet e Ramush Tahirit për shkëmbim territoresh duhet të merren seriozisht jo për saktësinë se mund të ketë shkëmbim paqësor, por se do të krijohen rrethana destabilizuese që do të çojnë në këtë drejtim.

Serbia, krahas të ashtuquajturës linjë e butë që po e paraqet Vuçiq, ka lënë të hapur dhe shumë aktive, madje edhe agresive, linjën e fortë, destabilizuese dhe luftënxitëse të Aleksandër Vulinit, i cili hapur kërcënon edhe me luftë.

Mirëpo, mundësia që në çfarëdo mënyre të ndryshohen kufijtë e Kosovës, është mundësia për ndryshim të kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, e të cilën çështje e kam trajtuar vazhdimisht, edhe si synim të Serbisë dhe të Kroacisë që të nxisin në Kosovë ndryshimin e kufijve, për ta ndarë Bosnjen.