Reagojnë veteranët UÇPMB-së : Nuk përzihemi në politikë ditore

Reagojnë veteranët UÇPMB-së : Nuk përzihemi në politikë ditore

27.09.2017 21:55:25

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së në Bujanoc nëpërmjet një komunikate, distancohet nga deklarimet politike rreth organizimit institucional në Preshevë. Sipas këtij reagimi, OVL është e determinuar për t;i mbrojtur interesat e protagonistëve të luftës dhe jo të përzihet në çështjet politike, sepse sipas tyre, e devalvon misionin për çka është krijuar.

“OVL e UÇPMB-së distancohet nga prononcimi i kryetarit të kësaj organizate në Preshevë për mediet në Prishtinë, që kishte të bënte me rrjedhat politike pas emërimit të organit të përkohshëm në këtë komunë. Ne si organizatë vlerësojmë se nuk na takon aspak të implikohemi në tematikat e politikës ditore, sidomos kur kemi parasysh specifikat e përfaqësimit tonë”, thuhet në reagim.

OVL e UÇPMB-së thotë se është krijuar për t’i mbrojmë interesat e veteranëve të luftës, invalidëve, familjeve të dëshmorëve, etj, dhe “çdo përzierje jona në politikë e sidomos kur shfaqen haptazi përçarjet brenda subjekteve shqiptare e zbehë dukshëm misionin e funksionimit tonë”.

“Qëllimi ynë parësor, kur është në pyetje politika, është unifikimi i faktorit shqiptarë dhe veprimi i përbashkët e assesi antagonizmat ndaj palëve. Andaj, i bëjmë thirrje edhe çdo anëtari të organizatës tonë të jetë tejet i kujdesshëm me sjelljet që përkojnë me shfaqjet e hapura dhe animet politike sepse ato shkatërrojnë imazhin jo vetëm të ish-luftëtareve, por edhe vlerat sublime të luftës së UÇPMB-së”, thuhet më tej në reagim.

Dëshmorët, siç thonë ata, dhanë jetën e tyre pa ngjyrime politike andaj edhe veteranët duhet t’i mbesin  besnik këtyre virtyteve.