Reforma në drejtësi, këta janë “peshqit” e mëdhenj që BE kërkon të arrestohen

11.09.2016 11:22:18

Tre janë kategoritë e funksionarëve të lartë, në radhët e të cilëve Brukseli pret arrestime dhe dënimet të formës së prerë, si shenjë e zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe vullnet për të avancuar në rrugën e integrimit. Ata i përkasin botës së politikës dhe drejtësisë. Ata janë gjyqtarët, prokurorët dhe deputetët.

Prej një çerekshekulli, njerëzit e drejtësisë vijojnë të mbajnë e stafetës së korrupsionit, por befasues është treguesi sipas të cilit deputetët renditen të dytët si më të korruptuarit në Shqipëri.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn gjatë konferencës për shtyp krah Përfaqësues së Lartë të Politikave të Jashtme në BE, Frederica Mogherini dhe Kryeministri, Edi Rama, deklaroi se nga zbatimi i reformës në drejtësi, BE pret që të “rrjetë” të përfundojnë dhe peshq të mëdhenj.

“Kjo reformë është një arritje e pabesueshme, por është e rëndësishme se qëllimi është që të afroheni me BE por që t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë”, tha Komisioneri.

Hahn shtoi se miratimi i reformë në drejtësi në Parlament ishte vetëm hapi i parë dhe se tashmë BE do të monitorojë nga afër zbatimin e saj në praktikë, gjë e cila do të sjellë dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Do të ndjekim zbatimin e saj dhe do të bëjmë gjithçka nga ana jonë për të mbështetur këtë frymë duke dhënë rekomandimet e duhura për të arritur këto qëllime”, tha Hahn pa dhënë një përgjigje të qartë nëse Këshilli i BE-së do të rekomandojë hapjen e negociatave në raportin që do të paraqesë në nëntor.

Duke theksuar se, “zbatimi i reformës duhet të bëhet në kohën e duhur që të mos mbete vetëm në letër”, Komisioneri për Zgjerimin shtoi më tej në fjalën e tij se, ky ligj është përgjigja më e mirë për nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri.

“Korrupsioni? Mendoj se reforma në drejtësi është mjaft decizive për këtë arsye në vëmë theksin te zbatimi i saj. Ajo çka mund të them është se kjo reformë nuk do të kapi vetëm peshqit e vegjël, por edhe peshqit e mëdhenj”, përfundoi Hahn.

Komisioneri dha një përgjigje të tillë lidhur me dyshime se kultivuesit e kanabisit janë të lidhur me politikanë të lartë.

“I mbetet drejtësisë të hetojë. Deri tani kemi parë dokumente ku flitet për peshq të vegjël, dhe disa peshq mesatarë. Por, unë pres që të ketë dhe peshq të mëdhenj. Kjo do të ishte arritja domethënëse”, përfundoi ai.