Pamundësia e Kosovës për të marrë një kod ndërkombëtar telefonik të vetin i ka kushtuar deri më tani rreth 65 milionë euro për çdo vit.
Kosova ishte e obliguar të paguajë kompanitë në Monako dhe Slloveni për huazimin e kodeve të tyre telefonike. Telekomunikacioni i Monakos ka qenë ofruesi i kodit telefonik për Kosovën që nga konflikti i 1999. Ky rrjet u vendos gjatë administrimit të OKB në Kosovë dhe vazhdon edhe sot. Sa herë që dikush thërret një celular Vala ndërkombëtarisht, ata përdorin +377, që është kodi i Monakos. Vala menaxhohet nga PTK që është pronë e qeverisë. Telekomunikacioni slloven është operatori i dytë celular në vend. Kosovarët me një telefon të rrjetit IPKO përdorin +386, kodin e Sllovenisë.Në një marrëveshje të arritur më 8 shtator, 2013, Kosova duhet të kishte një kod tre-shifror nga Bashkimi Ndërkombëtar për Telekomunikacion, ITU, nga janari 2015 por kjo nuk u realizua. Sot është arritur marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kosova tashmë do ta ketë kodin telefonik shtetëror të saj që është 383, i cili do të alokohet nga ITU. Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshje, Serbia obligohet t’i dërgoj letër ITU-së me të cilën pajtohet që ITU t’ja alokoj kodin telefonik Kosovës, dhe ky obligim duhet të realizohet me datën 3 dhjetor 2016. Kosova obligohet që të jep një lejim të përkohshëm dhe të kufizuar për telefoni mobile për një kompani të re kompani kjo e regjistruar sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës. Ky lejim i përkohshëm dhe i kufizuar brenda infrastrukturës aktuale të telefonisë mobile është në përputhje me pikën 4 të Marrëveshjes së Telekomunikacionit të vitit 2013. Kësaj kompanie do t’i ndahen resurse të mjaftueshme frekuencore për të mbuluar zonat që aktualisht mbulon në territorin e Kosovës gjatë kohëzgjatjes së licencës së përkohshme dhe të kufizuar. Për më tepër, operatori në fjalë do të jetë i kufizuar edhe në numrin e përdoruesve (konsumatorëve) që mund t’i ketë gjatë periudhës së autorizimit të përkohshëm. E njëjta kompani, do të autorizohet edhe për operim në telefoninë fikse bazuar në ligjet e Kosovës. Të gjithë operatorët ilegal që kanë vepruar pa licencim në Kosovë do të shuhen. Do të largohen të gjitha kodet ekzistuese (381,377, 386) dhe do të përdoret vetëm kodi shtetëror i Kosovës 383 për thirrje ndërkombëtare. Ndërsa gjatë një periudhe tranzitore deri në implementim të kodit shtetëror të Kosovës, do të përdoret numeracion i dyfisht. Marrëveshja për telekomin dhe zbatimi i saj do të mundësoj të vendoset rendi dhe ligji edhe në fushën e telekomit dhe nuk do të ketë më asnjë operim ilegal në sektorin e telekomit në të gjithë territorin e vendit./fokusi.org






































