Rexhep Selimi: Sekta okulte e Albinit është për ta ndarë Kosovën, e jo për të rrëzuar mure

25.12.2016 21:58:33

Nga Rexhep Selimi

Është shumë komike, është shumë butaforike kur dëgjon kuvendarë të sektës okulte të Albinit teksa flasin për murin, për sovranitet dhe për tërësi territoriale të Kosovës, sepse është pikërisht kjo sektë që si pjesë e linjës së Tiranës/Kretës, është në skenë për të ndarë Kosovën, sipas planeve të Serbisë dhe të Rusisë. Se është kështu, kam elaboruar shumë herë, por meqë po vazhdojnë me demagogjitë e tyre politike, po ua kujtoj përsëri.

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë me anë të referendumit, nuk është asgjë tjetër pos formë e kamufluar e planit të Boris Tadiqit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë me kusht që edhe Serbia të marrë një pjesë të saj. “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një nga zgjidhjet e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit në Ballkan, me kusht që Serbia të marrë një pjesë të territorit të Kosovës” – ka thënë Boris Tadiq në një intervistë për “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”, më 2011. Dhe kjo kohë përputhet me kohën kur Tadiq kishte shprehur interesimin e Serbisë për të arritur një marrëveshje historike me Tiranën për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe serbe. Dhe këtë ide e ka shfaqur po në të njëjtën intervistë kur ka thënë se “Shqipëria e madhe do të ishte në të vërtetë një projekt shumë i rrezikshëm. Por, nëse ky projekt do të ishte pjesë e një zgjidhje të madhe historike midis shqiptarëve dhe serbëve, ne serbët do të pajtoheshim ta pranonim këtë zgjidhje. Kjo do të ishte një zgjidhe ku të dyja palët do të merrnin diçka, ndërsa zgjidhja do të krijonte paqen dhe stabilitetin e duhur”. Në gjithë këtë, vërehet një formë elegante e paraqitjes së projektit të hershëm të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Dhe projekti i Albin Kurtit dhe i sektës së tij okulte është pikërisht ky: ndarja e Kosovës e paraqitur si bashkim të saj me Shqipërinë. Është kështu për faktin se mbajtja e referndumit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, do të kërkonte ndryshime kushtetuese, përkatësisht heqjen e paragrafit 3 të nenit 1 të kushtetutës së Kosovës që ndalon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet, union apo pjesë të ndonjë shteti tjetër. Dhe për ta bërë këtë, do të duheshin votat e kuvendarëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Dhe serbët do ta kushtëzonin votën e tyre pro me të drejtën që edhe ata të kenë të drejtë të bashkohen me Serbinë. Kjo ësht rruga juridiko-kushtetuese. Rruga tjetër është rruga parimore: nëse një popull ka të drejtë të bashkohet me pjesë tjera të tij, atëherë edhe popujt tjerë e kanë këtë të drejtë. Kështu, nëse shqiptarët kanë të drejtë të bashkohen me shtetin shqiptar, atëherë edhe serbët kanë të drejtë të bashkohen me Serbinë. Dhe ky parim nuk do të kishte të bënte vetëm me shqiptarët dhe serbët, e as vetëm me Kosovën, por do të përfshinte edhe shtetet tjera të dala nga ish-Jugosllavia: Maqedoninë dhe Bosnjën në mënyrë të veçantë. Kështu, Serbia, përveçse do të merrte një pjesë të Kosovës, do të merrte edhe Republika Srpskën në Bosnjë. Po ashtu, edhe Kroacia do të merrte pjesën kroate të Bosnjës. Prandaj, kemi pasur një angazhim të madh të Stipe Mesiqit në mbështetje të anarkisë në Kosovë. Në anën tjetër, shqiptarët, përveçse do të humbisnin territore në Kosovë, do të humbisnin territore edhe në Maqedoni.

Pra, sekta okulte e Albinit flet për mure, sepse misioni i saj është që vendin ku janë vënë themelet e një muri, ta shndërrojë në kufi të ri ndrmjet Serbisë dhe shtetit shqiptar, pas procesit të ndarjes së Kosovës. Dhe në këtë kuptim, Rexhep Selimi dhe milingonat e BIA-s serbe nuk kanë pse na shesin moral dhe patriotizëm, aq më pak kur dihet se historia e ndarjes etnike të Kosovës nuk daton më 2015 apo më 2016, por më 1999, kohë kur Rexhep Selimi ishte në gjendje të të vriste për Hashim Thaçin, dhe kur njësitet e UÇK-së ishin urdhëruar të mos dilnin në pjesën veriore të Urës së Ibrit.

Ndëkaq, sa i përket murit, me të duhet të veprohet sipas ligjit.