“Roja i dritës” si një kodeks personal, një epistemologji komunikative dhe metafizikë jo vetëm poetike

07.06.2018 17:44:18

Nga Rexhep Kastrati

Poetja, shkrimtarja dhe botuesja nga Tirana, Flutrura Açka ka sjellë vargjet për të birin e saj, Jerinin, i cili vdiq në moshën 18 vjeçare, në fillim të muajit maj.

Vargjet e paraqitura nën titullin “Roja i dritës”, janë vargje të një epistemologjie shpirtërore të një nëne, të një krijuese për djalin e saj, që për të ishte roje i dritës, në kuptimin e bardhësisë, çiltërisë dhe emocionit që bartte në shpirtin dhe në jetën e autores.

Me figura të shumta stilistikore, si metafora, krahasimi, simboli dhe figura të tjera si këto, autorja Açka ka paraqitur në vetën e dytë njëjës nivelet e transformimit të një qenieje të gjallë, që kishte qiell brenda vetes, sa veç në syrin e tij, dielli të bente ndejë, sa që ngjallte xhelozinë e dritës që nuk ishte si ai, në një qenie të tjetërbotëshme, apo të mbretërisë së Askundit, nga ku i jepte gurguillimë andrrës dhe zhgjandrrës për të çarë thurjen e pezimit të trishtimit që kishte lënë, e deri te kujtimi i përjetshëm si një tatuazh shpirti.

Gradacioni artisitik, lirika emocionale, portretizimi i dhimbjes, i dashurisë dhe i mallëngjimit, e bëjnë këtë poezi të ketë një rrjedhë të vetvetishme, e bën të jetë një pikturë ku lexuesi ka mundësi të shohë, të ndjejë dhe të përjetojë një flakërim shpirti që shkakton jo vetëm thjesht humbja e njeriut të shpirtit, të fëmijës, por edhe të shkëputjes së një rrjedhe jetësore që do të kishte gjithë dinamikën, dramën dhe kuptimin e saj në vetërealizim.

Në aspektin e tipologjisë, kjo poezi bën pjesë në poezi të natyrës personale, si një kodeks personal, dhe të një epistemologjie komunikative dhe narrative ndërpersonale dhe të një metafizike jo vetëm poetike.

Në letërsinë tonë, duhet përmendur Ali Podrimjen, i cili vdekjen e të birit, Lumit e shndërroi në një motivim, në një gjendje shpirtërore, kurse vetë Lumin në boshtin kryesor rreth të cilit do të ndërtojë ekzistencën e vetë poetike, do ta shndërrojë në një metonimi shpirti, në një çelës simbolik për të zbërthyer jo vetëm dhimbjen, jo vetëm botën shpirtërore, emocionale dhe intelektuale personale, por edhe aspektin denotativ dhe konotativ të përjetësimit artistik të një humbje të këtillë, si dhe shumë elemente qenësore të perceptimin dhe receptimit të qeniesimit biologjik, filozofik, psikologjik, të individit dhe të kolektivitetit, por edhe marrëdhëniet me transcendentalen.

Më poshtë po sjellim poezinë  “Roja i dritës”, të cilën e morëm në profilin në facebook, të Flurura Açkës:

 

Roja i dritës

Ti kishe kaq qiell brenda teje,
sa dhe dielli bante ndejë n’tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,
horizontit ankohej,
se s’mundej me të ngja ty.
Kurdisur n’buzëqeshje
kraharori yt ende jep gurgullimë,
andrrës dhe zhgjandrrës të çajë thurjen e pezmët
të trishtimit tonë, mësyn.
Është larg, n’rini të përjetshme,
mbretërinë e Askundit lyen me bojë njeriu,
i pakorruptueshmi shpirt,
i papërlyemi kurm,
e pavramja ndjenjë,
xeherore qe s’e prek kush thellimave,
ekzistencë diku, gega im,
“the terrible beauty”* në më t’gjatin mërgim.
Ti dashuria që ecje,
ti buzëqeshja baretëse,
ti i thikti rrezatim mirësie,
kushedi në ç’mors lexon tani,
vajin tonë që lutet për kthim.
Ti roja i dritës,
përgjon errëtitë që aviten të na nxijnë,
të na derdhin mjerim.
Tani shkel në dhera të pastra,
e ëndrrash të qashtra shtigjesh nget,
ti nezra e përjetshme,
nuk fikesh si kandil,
as flakë qiriri topitur erës,
shembëllim i largët i një ylli kushediku,
tatuazh i shpirtit mbet…

“The terrible beauty” (bukuri mizore), varg i John Keats