Romana Vlahutin në Shkodër: Shqiptarët janë europianë, e meritojnë BE

06.05.2018 21:46:21

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, këmbëngul se e ardhmja e Shqipërisë është Europa dhe integrimi në familjen e madhe evropiane.

Nga Shkodra në ditën e luleve, Vlahutin deklaroi se shqiptarët meritojnë Europën, por më parë duhet që të përmbushin standardet.

“Ky është fillimi më i bukur i javës së Europës. Kam ardhur me një pjesë të ambasadorëve të vendeve anëtare, jam e lumtur. Shkodra është një nga qytetet e preferuara. Shkodranët janë europianë prej qindra shekujsh, shqiptarët janë europianë, por ajo që duam të bëjmë është që të sjellim standardet europiane këtu”.

Pyetjes se nëse politika shqiptare e meriton Europën, ambasadorja iu përgjigj duke fshikulluar klasën politike.

“Populli shqiptar e meriton Europën. Bashkësia europiane nuk është bashkësi politikanësh, por bashkësi midis njerëzve”.

Vlahutin ka përsëritur gjithnjë se BE ka të njëjtat pritshmëri me ato që kanë qytetarët shqiptarë: një gjyqësor funksional, të pavarur dhe të përgjegjshëm, ku nuk ka sundim parash, por sundim të ligjit; procesi i Vettingut dhe reforma në fusha të ndryshme.