Romana Vlahutin: Shqipëria mori 3 vendime pozitive nga BE

27.06.2018 16:12:42

Ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin, në një prononcim për mediat tha se ka tre pika pozitive vendimi i marrë dje në lidhje me çeljen e negociatave.

“Shqipëria ka marrë tre gjëra shumë të rëndësishme pozitive. E para, njohja e rekomandimeve dhe gjithë punës e reformave që janë bërë në Shqipëri. E dyta një kalendar i qartë, për konferencën ndërqeveritare. Kjo është shumë e rëndësishme pasi nuk duhet të diskutojmë data. E treta, këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ka njohur që komisioni të nisë punën përgatitore”, theksoi Vlahutin.

Gjithashtu ajo u fokusua tek puna e madhe përgatitore, që sipas saj kërkon kohën e vet. Vlahutin theksoi se detajet e kësaj pune përgatitore do të bëhen shumë shpejt publike nga ana e misionit të BE-së në Tiranë.

Vlahutin vuri në dukje se kalendari është shumë i qartë për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian duke ftuar të gjithë aktorët të përqendrohen tek puna përgatitore që kërkohet.

“Ky është kalendari, do dëgjoni më shumë nga ambasadori i ardhshëm, pasi nuk mund të flas një vit para se të ndodhë, ky është një kalendar i qartë dhe në botën e BE-së tregon se ka një angazhim të qartë për këtë datë. Ne jemi të lumtur me këtë vendim,  për të gjithë ata që punojnë për Shqipërinë. Është një mundësi për të lëvizur me ritëm më të shpejtë dhe të fillojmë përgatitjet”, theksoi Vlahutin.