Ndryshimet kushtetuese për “Republika Srpska” në Kosovë

27.06.2018 15:53:20

Nga Rexhep Kastrati

Tash edhe të tjerë po e shprehin mundësinë që të ketë ndryshime kushtetuese në Kosovë, në mënyrë që kjo e fundit t’i përshtatet dokumentit themeltar të Asociacionit, ndërkohë që këtë e kam thënë në vazhdimësi që një kohë të gjatë.

Ajo që vlen të thuhet me këtë rast është hipokrizia politike, pafuqia dhe mungesa e një reagimi institucional, politik dhe shoqëror për të penguar dhe pamundësuar realizimin e ndryshimeve kushtetuese për llogari të një “Republika Srpska” në Kosovë.

Klasa politike, edhe tash, sikurse viteve të tjera është treguar dhe po tregohet e paaftë për të penguar dhe pamundësuar zhvillime të këtilla, as për të penguar Hashim Thaçin që të bëjë pazare në dëm të Kosovës, por te e shumta që ka bërë, vetëm ka bërë konstatimin e gjendjes, sikur disa pseudoanalistë që flasin si kofini pas të vjeli.

Qëndrimi i qeverisë “Mustafa” se Asociacioni do të jetë në përputhje me vërejtjet e Gjykatës kushtetuese, dhe se Statuti para se të miratohet, do të çohet në Gjykatë kushtetuese që do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e tij, tashmë po bëhet gjithnjë e më e qartë se është zëvendësuar me ndryshime kushtetuese për t’iu përshtatur dokumentit themeltar të Asociacionit.

Tashmë askush nuk po thotë se Asociacioni mund të themelohet në bazë të vërejtjeve të Gjykatës kushtetuese, por të shumtë janë ata që janë duke e përgatitur opinionin jo vetëm për ndryshime kushtetuese për një “Republika Srpska” në Kosovë, por për një Pako të dytë pas asaj të Ahtisarit që do të jetë shumëfish më e rëndë për Kosovën.