Rreziku kinez nga rrjeti 5G, Shqipëria rreshtohet krah SHBA, gjithçka nën monitorimin e amerikanëve

05.02.2020 10:42:37

Pas ultimatumit të dhënë disa herë nga Uashingtoni, qeveria shqiptare ka vendosur të fusë rrjetin 5G të internetit në mbikëqyrjen e amerikanëve. Për SHBA ky rrjet mund të jetë i dëmshëm nëse u lihet në dorë kinezëve. Dje deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri mori pjesë në Uashington, me ftesë të Senatit amerikan, në forumin mbi teknologjinë 5G. Në këtë forum u diskutua mbi teknologjinë 5G, aspektet e sigurisë dhe rreziqet potenciale nga ndërhyrjet e palëve të treta. Gjithashtu gjatë këtij forumi u veçua dhe roli i Shqipërisë si vendi i parë që shprehu gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjen me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G.

“Në Uashington, ku me ftesë të Senatit amerikan, pata kënaqësinë të merrja pjesë në forumin ku u diskutua mbi teknologjinë 5G, aspektet e sigurisë dhe rreziqet potenciale nga ndërhyrjet e palëve të treta. U veçua roli i Shqipërisë si vendi i parë që shprehu gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshje me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G”, shprehet Gjiknuri.

Ndërsa gjatë një aktiviteti në Tiranë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se, transformimi dixhital apo epoka 5G po riformulon botën tonë, mënyrën se si funksionojnë industritë, qeveritë apo jeta në çdo sekondë të saj. Ministrja Balluku mori pjesë dje gjatë ceremonisë ku përfaqësues të kompanive telefonike bënë të ditur marrëveshjen e arritur për modernizimin e rrjetit të transmetimit. Nën konceptin “One Vision”, në aktivitet u komunikuan planet e transformimeve për vitin 2020 dhe si do të ndikojnë këto ndryshime në një shoqëri moderne, me kërkesë gjithmonë në rritje për konsum të dhënash. Balluku tha se një bashkëpunim i tillë ka ndikim jo vetëm ndërmjet bizneseve, por edhe në nivel kombëtar. “Përdoruesit shqiptarë janë gati për këtë hap të ri. Ne kemi treguar ndër vite se teknologjia luan rol të rëndësishëm në jetën tonë; jemi kureshtarë për risinë, e mirëpresim dhe e vlerësojmë atë”, shtoi Balluku.

Sipas saj, 5G do të ndikojë në industri, automobilistikë, kujdesin shëndetësor, prodhim e shpërndarje, shërbime urgjente e emergjente. Qëllimi i krijimit të kësaj industrie, tha Balluku, është perfeksionimi i operimit të industrive të ndryshme me efikasitet në kohë, e eficiencë financiare.