Rritet bashkëpunimi ndërkufitar me Greqinë (Video)

23.01.2017 16:28:45

Nga 11.5 milion eurot që Maqedonia i kishte në dispozicion, ka shfrytëzuar mbi 10 milionë euro të BE-së, nga projekti IPA, Program i bashkëpunimit ndërkufitar me Greqinë.

Bëhet fjalë për periudhën 2007-2013. Ministrja e Pushtetit Lokal Shyret Elezi tha se paratë janë përdorë për aktivitete të përbashkëta ndërkufitare në Greqi dhe Maqedoni në ndërtimin e objekteve të infrastrukturës në zonën ndërkufitare, në mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët natyrore dhe kulturore, në kushte më të mira për biznes të përbashkët.

Nga Komisioni Evropian në Shkup theksojnë se bashkëpunimi ndërkufitar garanton stabilitet politik dhe prosperitet në rajon. Me programin e ri ndërkufitar me Greqinë IPA 2, në dispozicion janë 40 milionë euro.

”Bashkëpunimi ndërkufitar sjell pasurim të marrëdhënieve ndër-fqinjësore. Ky partneritet vazhdon me programin IPA 2 për periudhën 2014-2020” – tha për Alsat-M, Samuel Zhbogar, Shef i Delegacionit të BE-së në RM.

Ndryshe, vitin e kaluar Bashkimi Evropian shkurtoi rreth 30 milion euro nga fondet evropiane të dedikuara për Maqedoninë pasi qeveria nuk tregoi vullnet të zbatojë reformat, ndërsa menaxhimi i deritanishëm me paratë vlerësohej i keq. Qeveria më pas u arsyetua se nuk bëhet fjalë për sanksione, por për shkurtim të fondeve të programuara.

Brukseli shkurtoi dhjetëra milionë euro për programin IPARD 2, për investime në bujqësi, për shkak të shfrytëzimit të ulët të tyre në vitet e mëparshme.