Sali Berisha angazhon avokat në Francë: Do ta padis sekretarin amerikan të shtetit

20.05.2021 19:20:15

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka autorizuar avokatin e tij për të ngritur padi ndaj deklaratave të sekretarit të Shtetit Anthony Blinken, pas shpalljes person non grata nga SHBA.

Berisha në një konferencë për media tha se sekretari i Shtetit Anthony Blinken ka bërë shpifje ndaj tij lidhur me akuzat për korrupsion gjatë qeverisjes së tij.

“Jam këtu për t’ju informuar për një vendim të pazakontë, por të rëndësishëm timin. Për arsye tërësisht të panjohura për mua sekretari i Departamentit të Shtetit Blinken ka publikuar pa paralajmërim dhe në mënyrë shpifëse vlerësime të gënjeshtra për personalitetin tim”, tha ai.

“ Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën time politike ju garantoj se që kur kam prekur rrogën e parë në borderonë e shtetit dhe deri ditën e djeshme nuk ka njeri në Shqipëri e botë që të thotë se unë kam qenë i implikuar në aferë të çfarëdoshme korruptive. Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral në Francë që të ngrejë ndaj zoti Blinken padi për shpifje publike”, ka thënë Berisha në fund