Pas shkarkimit të Gjergj Dedajt, burri i presidentes Osmani udhëheq me Ambasadën...

Pas shkarkimit të Gjergj Dedajt, burri i presidentes Osmani udhëheq me Ambasadën e Kosovës në Maqedoni

20.05.2021 19:27:17

Që nga dje Ambasada e Kosovës në Maqedoni ka mbetur pa shef të misionit, pasi Gjergj Dedaj është shkarkuar nga pozita e ambasadorit në këtë vend fqinj.

Presidentja Vjosa Osmani pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ka dekretuar lirimin nga detyra e ambasadorit Gjergj Dedajn, që në këtë pozitë ishte emëruar nga ish-Presidenti Hashim Thaçi në tetor 2018.

Me shkarkimin e Dedajt nga postimi i ambasadorit në Shkup, Ambasada e Kosovës ka mbetur pa shef të misionit.

E zëvendës shef i misionit në vendin fqinj të Kosovës është Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Osmani.

Me largimin e Dedajt nga ambasada, shef i misionit diplomatik të Kosovës në Maqedoni në cilësinë e të ngarkuarit të përkohshëm me punë është bashkëshorti i Presidentes Osmani.

Kujtojmë që Prindon Sadriu është diplomat i karrierës në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ai në pozitën e zëvendës-shefit të misionit të Kosovës në Maqedoni ishte emëruar në korrik të vitit 2019, i cili mbanë gradën e ministrit në shërbimin diplomatik të Kosovës.

Dje me anë të dekreteve Osmani ka shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë me arsyetimin se janë të emëruar politikisht.