Seanca e sotme Konstituive e Kuvendit të Kosovës,udhëheqet nga Adem Mikullovci

Seanca e sotme Konstituive e Kuvendit të Kosovës,udhëheqet nga Adem Mikullovci

03.08.2017 09:01:20

Legjislatura e gjashtë me radhë fillon zyrtarisht punën sot me seancën konstituive e cila është paraparë të nisë në orën 10. Në seancën të cilën e udhëheq deputeti më i vjetër, që është Adem Mikullovci i Vetëvendosjes dhe deputetja më e re, që është Teuta Rugova e LDK-së, pritet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të nis me formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për të vazhduar me betimin e deputetëve, e pastaj me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar. Më pas, procedohet me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve, tre prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy të tjerët nga komunitetet tjera joshqiptare. Për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve kërkohet vota e të paktën 61 deputetëve.

Në mbledhjen e fundit Kryesia e legjislaturës së kaluar është përcaktuar edhe për ndarjen e ulëseve në sallën e mbledhjeve plenare. Kësisoj, grupi i më i madh parlamentar PDK-AAK-Nisma me 39 deputetë, do të ulet në qendër, në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës, do të ulet grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje me 32 deputetë, ndërsa në anën e majtë të tij, do të ulen 29 deputetët e grupit parlamentar LDK-AKR-Alternativa.

Pjesë e kësaj legjislature do të jenë edhe nëntë ministra që aktualisht janë pjesë e Qeverisë në detyrë, por të cilët duhet të përcaktohen për postin që mbajnë. Sigurisht se posti i deputetit do të jetë ai që do ta zgjedhin, duke pasur parasysh që paga bruto e deputetit është 1488 euro. E këto të ardhura rriten varësisht nga angazhimet e tyre.

Kryetarët  e komisioneve funksionale të Kuvendit marrin shtesë prej 400 euro. Të njëjtën shumë e përfitojnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare. Mëditja për pjesëmarrje në seancën parlamentare është 120 euro. E dihet që në muaj mbahen së paku dy seanca. Deputetët paguhen edhe për punën e tyre në komisione me nga 160 euro, ndërsa Kuvendi i ndan nga 100 euro për deputetët në emër të shujtave. Kurse e atyre deputetëve që nuk jetojnë në Prishtinë, Kuvendi ua mbulon shpenzimet e udhëtimit, varësisht se ku jetojnë.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës do të hapë rrugën që presidenti i vendit t’i jap mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër, që ta krijojë Qeverinë e re. Siç e përcakton edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, nga rezultati i zgjedhjeve, subjektit fitues, në këtë rast koalicionit PDK-AAK-Nisma i takon propozimi i kandidatit të tyre, Ramush Haradinaj për kryeministër të vendit