Selmanaj takohet me ambasadorin Abbott, flasin për procesin e rekrutimit të bordeve të ndërmarrjeve publike

06.10.2020 18:25:29

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, gjatë së martës është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin diskutoi për zhvillimet politike në vend dhe bashkëpunimin midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe, me theks të veçantë në procesin e rekrutimit të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri Selmanaj informoi Ambasadorin Abbott për prioritetet e kabinetit të tij dhe angazhimin e tij në reformat në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, si dhe procesin e integrimit evropian.

Gjatë këtij takimi, Selmanaj falënderoi ambasadorin Abbott për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe ndaj Republikës së Kosovës ndër vite, duke potencuar edhe ndihmat e fundit që ka bërë Britania e Madhe në përpjekjet për luftimin e pandemisë Covid-19.

Zëvendëskryeministri Selmanaj dhe Ambasadori Abbott u pajtuan për të thelluar dhe më tutje partneritetin dhe bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe.