Serbët shqetësohën se përfaqësuesja e re në dialog, Angelina Einchorst, është mbështetëse e Kosovës

27.06.2018 10:04:55

Faza e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërmjetësohet nga drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, si dhe zëvendësdrejtore menaxhuese në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, Angelina Einchorst.

Misioni i saj është që të përshpejtojë dhe intensifikojë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke synuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Por mediat serbe kanë frikë se Einchorst do t’i dalë në krahë Kosovës në shumë raste.

Telegrafi serb citon një deklaratë të saj kur ka qenë herën e fundit në Kosovë.

“Gjatë një vizite në Prishtinë në fillim të këtij viti ajo ka vlerësuar se Kosova është e përkushtuar në agjendën e BE-së”, shkruan Telegrafi serb.

“Populli i Kosovës duhet të jetë në gjendje për të parë përparimin në zbatimin e MSA-së. Temat si e drejta ndërkombtater, sundimi i ligjit, drejtësia e lufta kundër korrupsionit, janë elemente të rëndësishme”, kishte thënë ajo.

Për angazhimin e saj në dialog ka folur edhe ministri serb, Ivica Daçiq. Ai theksoi se Enichorst do të jetë si ndihmëse e Mogherinit në procesin e dialogut.

Sipas mediave serbe ajo do të angazhohet që të jetë në kontakte të vazhdueshme me Thaçin e Vuçiqin duke u përpjekur të harmonizojë raportet mes dy shteteve.

Einchorst ka punuar në Kombet e Bashkuara që nga viti 1989, duke ushtruar funskionin e saj në shumë shtete botërore.