Serbia s’është e gatshme ta ngritë dialogun në nivel presidentesh

04.11.2016 22:45:20

Edhe pse në Kosovë ka një kohë që përmendet mundësia që presidenti Hashim Thaçi të përfshihet, ose edhe ta merr udhëheqjen e dialogut me Serbisë, pala serbe vlerëson se ky opsion është pak i besueshëm.

Burime të gazetës serbe “Blic” nga Qeveria e Serbisë, thonë se kjo është “lojë” e Prishtinës dhe “nuk ka lidhje me realitetin”, transmeton lajmi.net.

“Më shumë merren me formën sesa përmbajtjen, kurse thelbi i gjithë kësaj është se shumë gjëra të arritura në Bruksel nuk po zbatohen, në rend të parë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Me siguri sërish do të tentojnë që fajin t’ia hedhin Serbisë, që ajo është përgjegjëse për ngecje”, thonë burime të “Blic”-it, duke shtuar se pala serbe nuk ka asnjë informacion për kërkesën që të ndryshohet formati i dialogut.

Siç thuhet, këto spekulime janë “pak absurde”, marrë parasysh se dialogu tashmë zhvillohet në nivel kryeministrash, që është instanca më e lartë kur bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv.

“Vetëm nëse në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, për çka po flitet që një kohë, dialogu nuk do të vazjdojë deri te themelimi i qeverisë së re, që do të ishte një shtyrje e madhe”, theksojnë burime brenda qeverisë serbe.