Shaip Kamberi: Gjykata refuzoi ta shpallë fajtor Vulinin për përdorim të termit fyes “shqiptari”

08.02.2021 19:00:36

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin serb, Aleksandër Vulin për përdorimin e terminologjisë fyese dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka njoftuar se kjo Gjykatë, e ka cilësuar si të pabazuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, që sipas deputetit shqiptar i ka dhënë fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre në Serbi në veçanti

Sot, Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit dhe Ministri i sotëm i Brendshëm i Aleksandër Vuçiqit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese “šiptari” në vend të terminologjisë zyrtare në Serbi: “albanci”. Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti”, shkruan Kamberi.

Ndryshe, ministri i Mbrojtjes i ish-Qeverisë teknike të Serbisë, Aleksandar Vulin, në gjashtë komunikata të kësaj ministrie, i ka quajtur shqiptarët e Kosovës me termin ofendues “shiptari”.

Deformimi i fjalës ‘shqiptar’ në ‘shiptar’, në Serbi ka konotacion negativ, si ndërlidhje me njerëz primitiv dhe të paqytetëruar, njerëz që kanë zbritur nga mali, punëtor krahu, etj. Përdorimi i termit “shiptar’ në gjuhën serbe, konsiderohet ofendues për shqiptarët.

Postimi i plotë i Kamberit në Facebook: 

GJYKATA SERBE I JEP TË DREJTË FYERJES INSTITUCIONALE NDAJ SHQIPTARËVE!

TË REAGOJNË BE, SHBA DHE VENDET E RAJONIT, NDAJ KËTIJ PRECENDETI TË RREZIKSHËM PËR MINORITETET NË BALLKAN.  

Sot, Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit dhe Ministri i sotëm i Brendshëm i Aleksandër Vuçiqit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese “šiptari” në vend të terminologjisë zyrtare në Serbi: “albanci”.

Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti. 

Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit!

Në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak”, unë  kam filluar ndërmarrjen e veprimeve institucionale në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar

Ftoj autoritetet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të rajonit, që të reagojnë ndaj Beogradit për ta ndaluar institucionalizimin tashmë edhe juridik të gjuhës së urrejtjes ndaj minoriteteve në Serbi.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë në Beograd është precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor.