SHBA-ja mund të largohet nga marrëveshja e armëpushimit në Sir

17.09.2016 12:26:03

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama,ka paralajmëruar se SHBA mund të largohet nga marrëveshja e armëpushimit për Sirinë, që u arrit javën e kaluar me Rusinë, nëse Siria nuk lejon që ndihmat humanitare të arrijnë te njerëzit.

Pas takimit me ekipin e sigurisë kombëtare, më 16 shtator, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar nëpërmjet një deklarate për media, se Obama “ka shprehur shqetësim të madh që pavarësisht zvogëlimit të
dhunës në mbarë vendin, regjimi sirian vazhdon të bllokojë arritjen e ndihmave humanitare, të cilat janë kritike”.

”Obama ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdojnë më hapa të tjerë të marrëveshjes me Rusinë, derisa nuk shohim se në shtatë ditët e ardhshme do të zvogëlohet dhuna dhe se do të ketë qasje për ndihmat humanitare”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Kjo deklaratë e presidentit Obama vjen pasi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i tha homologut të tij rus, Sergei Lavrov, se Uashingtoni nuk do të bashkohet në sulmet kundër Shtetit Islamik në Siri, pas shtatë ditësh armëpushim, derisa Siria nuk do të lejojë që ndihmat humanitare të hyjnë në vend.