Në fjalimin e tij të përvitshëm drejtuar vendit, zoti Putin foli për arritje të mëdha në fushën e teknologjisë, që mund t’i japin ushtrisë ruse një pozicion të ri ushtarak në botë. Gjatë fjalimit ai bëri një demonstrim videosh me armët e reja, shfaqja e të cilave u shoqërua me duartrokitje të vazhdueshme nga të pranishmit.
Senatori republikan i Karolinës së Veriut, Thom Tillis, i tha Zërit të Amerikës: “Unë e shoh zotin Putin si një kriminel ordiner. Kur ata thonë diçka, ndoshta gënjejnë, por duhen marrë shumë seriozisht.”
Zëdhënësja e Pentagonit Dana White tha se Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk çuditet nga deklarata e zotit Putin për ndërtimin e armëve të reja bërthamore. Ajo tha se ushtria amerikane është e përgatitur për të mbrojtur vendin. Zëdhënësja White i tha gazetarëve në Pentagon se mbrojtja amerikane nga raketat nuk ka patur kurrë si synim Rusinë.
Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë argumentuar se sistemet për mbrojtjen nga raketa të vendosura në Europe nuk synojnë Moskën, por ato kanë si objektiv mbrojtjen nga kërcënimet që vijnë nga Irani, Koreja e Veriut dhe nga vende të papërgjegjshme.