Autoritetet në Sherlotsvill, në shtetin amerikan të Virxhinias, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në prag të një marshimi masiv të nacionalistëve të bardhë.
Ende pa nisur tubimi, përleshjet shpërthyen mes grupeve të ekstremit të djathtë dhe anti-protestuesve, që janë mbledhur gjithashtu në qytet. Sipas policisë, të paktën 2 persona janë plagosur.
Forcat e rendit kanë qëlluar gaz lotësjellës ndaj demonstruesve dhe kanë deklaruar se janë kryer disa arrestime pas një njoftimi për mbajtjen e një mitingu të paligjshëm në vendin e njohur si Parku i Emancipimit.
Gjendja e jashtëzakonshme po u lejon autoriteteve lokale që të kërkojnë ndihma shtesë në rast nevoje. Kjo, pasi protestuesit e ekstremit të djathtë janë të armatosur dhe të veshur me uniforma milicie dhe mbajnë flamuj të Konfederatës.
Ata janë acaruar nga planet e autoriteteve për lëvizjen e statujës së gjeneralit Robert E Lee, i cili udhëhoqi forcat e Konfederatës në luftën civile amerikane të viteve 1861-65.
“New York Times” raporton se disa prej protestuesve bërtisnin “Ju nuk do të na zëvendësoni” dhe “Hebrenjtë nuk do të na zëvendësojnë”.
Për t’iu bërë kontrast, organizata anti-raciste si “Black Live Matter” janë mbledhur gjithashtu në tubime.