Shënohet në Tetovë 108-vjetori i Kongresit të Alfabetit (Foto)

21.11.2016 16:53:08

Universiteti i Tetovës, me një akademi solemne e shënoi 108 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Akademinë e shpalli të hapur rektori i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ameti.

Ai, me këtë rast tha se Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.

“Kongresi i Alfabetit u përgatit si rezultat i rrethanave historike, në të cilat çështja e ABC-së u bë pjesë e lëvizjes së madhe për njësimin e ndërgjegjes kombëtare, si parakusht dhe sfond i luftës për pavarësi kombëtare. Vendimet e këtij Kongresi nuk i përcaktuan thjesht vetëm shkronjat, por një orientim kulturor që do të mbetej i përhershëm si identiteti themelor i kombit tonë të lashtë”, tha Ameti.

Referatin qendror lidhur me rëndësinë dhe zhvillimin e punimeve të kongresit e mbajti historiani, Prof. Dr. Halim Purellku. Ai tha se, iniciativën për organizimin e një kongresi kombëtar për të arritur në një përfundim të unifikuar të çështjes së alfabetit e mori klubi ,,Bashkimi” i Manastirit, në mbledhjen e 23 gushtit të vitit 1908.

Akademia kushtuar 108 vjetorit të Kongresit të Manastirit përfundoi me një program artistik ku performoi këngëtarja tetovare Elita Ziberi, si dhe studentët e Fakultetit të Arteve dhe ata të Fakultetit Filologjik.