Sherifi: Thaçi planifikoi pjesëmarrjen në Bruksel me tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

22.01.2017 21:40:17

Sot, gjatë ditës zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi konfirmoi për lajmi.net se përveç, kryeministrit Isa Mustafa që do të marrë pjesë në takimin që pritet të mbahet të martën në Bruksel, do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Mirëpo, sekretari i Nismës, Bilall Sherifi ka thënë për lajmi.net, se takimi i thirrur në Bruksel dëshmon se mazhoranca seancën për rezolutën e Ramush Haradinajn e ka bërë vetëm për konsum ditor politik.

“Takimi i thirrur për ditën e martë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është dëshmi se debati “kërcënues” kundër Serbisë i deputetëve të mazhorancës në seancën ku duhej miratuar rezoluta për Ramush Haradinajn është bërë vetëm për konsum ditor politik”, ka thënë Sherifi.

Sipas tij, pjesëmarrja e Hashim Thaçit dëshmon se acarimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës ka pasur qëllim, që BE-së t’i përcillet mesazhi se pa pjesëmarrjen e Thaçit në bisedime asgjë nuk mund të lëvizë përpara.

“Bashkëngjitja e Hashim Thaçit këtyre bisedimeve bëhet vetëm me qëllim marrjes së rolit drejtues nga ai. Kjo dëshmon se, krejt ky acarim i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës ka pasur këtë qëllim, t’i përcillet mesazh BE-së, se pa pjesëmarrjen e Hashim Thaçit në bisedime mes Kosovës dhe Serbisë asgjë nuk mund të lëvizë përpara”, theksoi ai.

Ndër tjera, Sherifi tha se “ngadalë po dalin në sipërfaqe arsyet e vërteta të tensionimit të situatës mes dy vendeve.”