Shfletime historike-19 vjet nga Epopeja e lavdishme e UÇK-së në Prekazin legjendar (1)

08.03.2017 21:30:39

Profesor Cana i priu karvanit të veprimtarëve trima, gjatë kryerjes së ceremonisë varrimit të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari e të familjes Jashari.

Jusuf BYTYÇI

Kaluan 19 vjet nga Epopeja e lavdishme e UÇK-së në Prekazin legjendar, kur komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, u përballën me makinerinë më masive vrastare të okupatorit serbo-sllav, që kërkonte me çdo kusht të gjunjëzonte Jasharajt dhe gjithë shqiptarët.
E, ceremonia e varrimit të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes Jashari, nuk u bë më 7, as me 8, 9 dhe as më 10 mars, por më 11 mars 1998!

Si rëndom, në këtë parapranverë, në Republikën e Kosovës, kujtohen zhvillimet më dramatike të asaj kohe, kur nisi lufta e hapur dhe frontale në mes forcave çlirimtare, UÇK-së që luftonte në tokën e vet, për lirinë e popullit të Kosovës, si dhe forcave barbare serbo-sllave, që kërkonin mbajtjen e Kosovës dhe popullit të Kosovës në robëri.
Në përvjetorin e nëntëmbëdhjetë të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, pos të rënëve të flakëve e fronteve të luftës, pra jo vetëm nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk është në jetë një nga protagonistët e zhvillimeve më të rrezikshme jo vetëm në Prekaz, por kudo në Kosovë, profesori, historiani e veprimtari i shquar Dr. Zekeria Cana, që vdiq më 10 janar të vitit 2009.
Profesor Zekeria Cana ishte gjithsesi protagonisti kryesor i shumë ngjarjeve në Kosovën martire, përfshirë edhe i ceremonisë së varrimit të komandantit legjendar Adem Jashari e familjes Jashari në Prekaz më 11 mars 1998.

Nuk është e ndershme, që të tjerët, të vetë lavdërohen me kontributin e të tjerëve!

Profesori nuk diti ç’është frika, atë nuk e ndalën as tanket serbe, ai nuk u ndal kurrë së vepruari, qoftë për të uruar, qoftë për të pajtuar familje, qoftë për të ndihmuar në aksione solidariteti, për të inkurajuar, apo për të marrë pjesë në hidhërime e për të ngushëlluar.
Nuk është e ndershme, që të tjerët, të vetë lavdërohen me kontributin e të tjerëve, që edhe përkundër të gjitha trysnive dhe rrezikut serioz e permanent, patën guxim e kurajë që të mbeten aty në Prekaz, të përballen me gjithë atë arsenal armësh të rënda të makinerisë vrastare të Serbisë okupatore, vetëm e vetëm që të mos lejojnë përbaltjen e trupave të të rënëve nga këmbëshkelësit serbë.

Më 10 mars 1998, ditën kur mendohej se do të organizohej ceremonia e varrimit, Skenderajin, respektivisht Prekazin e kishin mësyer dhjetëra mijëra njerëz nga anë të ndryshme të Kosovës. Aty kishte edhe hoxhallarë, por pos nderimeve në vendin ku ishin të shtrira kufomat e të rënëve, nuk u lejua varrimi. Forcat e shumta policore serbe, kërcënonin në çdo moment.

Profesor Cana i priu karvanit të veprimtarëve trima, gjatë kryerjes së ceremonisë varrimit të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari e të familjes Jashari.

Ndeja-buajtja në banesën e mjekut stomatolog Dr.Avdyl Salihu

E qytetarët e shumtë, përfshirë edhe hoxhën Mulla Osman Musliu, më 10 mars u larguan nga kishin ardhur. Ndërsa ne patëm rastin të kalojmë natën në banesën e mjekut stomatolog Dr.Avdyl Salihut, me detyrë që të nesërmen, të organizojmë sa më seriozisht varrimin e komandantit legjendar dhe familjes së gjerë Jashari në Prekaz. Në atë ndejë morën pjesë Dr. Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli, si dhe nikoqiri Dr.Avdyli nga Baksi. Më 11 mars 1998 në Prekaz në varrimin tradicional, morën pjesë Dr.Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli, Rifat Bejta nga Prekazi, Emin Halimi, me bashkëshorten-veprimtaren Ajnishahe Halimi, pastaj veterani i arsimit Sadri Rama (mik i familjes Jashari), babai i komandant Rrahman Ramës, Hilmiu, nga Klina e Drenicës, dhëndër i familjes Jashari, ndonjë individ nga Drenica, të tjerë nga Malisheva, si dhe Shaban Shala, ish veprimtar i KMDLMNJ-së, (tani i ndjerë)që erdhi tek pasi ishin larguar forcat e okupatorit nga Kulla e Jasharëve. Atë ditë, në Prekaz, krahas ndonjë gazetari vendës, përfshirë autorin e këtij fejtoni, kishin arritur edhe shumë gazetarë të huaj, që interesoheshin për rrjedhën e ceremonisë së varrimit të të rënëve. Këtë ditë, policia serbe, me të gjitha mjetet e rënda vrastare, krahas një rrethimi total, kërcënonte se do ta na vriste, në rast se nuk largoheshim nga ai ambient sa më parë.
Pikërisht në dhjetëvjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, ne patëm takuar personalitete protagoniste të vizitës në Prekaz e ceremonisë së varrimit dinjitoz. Në kujtimet e tyre, historiani tash i ndjerë Dr. Zekeria Cana, si dhe veprimtarët e shquar Cen Desku e Fetah Bekolli, gjatë një takimi me mjekun stomatolog Avdyl Salihu, kanë rrëfyer pjesë nga ajo ngjarje, e flijimit masiv. Profesor Z. Cana, ishte promotor, i pathyeshëm që të mos lejohet një varrim pa përfillje të traditës shqiptare, siç pretendonin e kërcënonin forcat serbe.
Grupi i veprimtarëve nga Malisheva, në përbërje Cen Desku, Gani Krasniqi, nga Këshilli Komunal i Financimit, Osman M. Mazreku, pronar i NT “Pajtimi”(tash i ndjer), Shefqet Mazreku, taksisti Bislim Berisha etj., për Prekaz, janë nisur më 9 mars.

E nga Prishtina, kishte arritur edhe prof. Dr. Zekeria Cana. Unë jam i interesuar të arrij në Prekaz, pasi ishte lajmëruar se varrimi do të bëhej më 10 mars, më thotë Dr. Cana, duke lavdëruar me fjalët “Lumë Drenica që e ka kojshi të mirë Malishevën”. Duke shfrytëzuar tani një rrugë tjetër për në Drenicë, përmes Mleçanit, Plloçicës, Murgës, Obrisë, Likocit e Rezallës.
Veprimtari, hoxha Fetah Bekolli, do të rrëfejë paraprakisht aktivitetet e organizimit për pjesëmarrje në ceremoninë e varrimit të 25 martirëve të Masakrës së Likoshanit, si banorë të dy fshatrave, Likoshan e Qirez, që u ekzekutuan më 28 shkurt 1998, gjatë luftës te Gjashtë lisat e Lokoshanit. Varrimi ndodhi më dt.03. 03.1998. Në evokimet e tyre, Dr. Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli e veprimtarët tjerë, rikujtonin me krenari ato përpjekje për një vlerësim meritor të asaj lufte e sakrifice.
Hyrja në Prekaz, nderimet, varrimi dinjitoz
Kontaktuam me Dervish dhe Agron Malokun, i pari është vrarë më vonë në luftë. Këta na përcjellin me veturë deri në shkollën e Abrisë, ndërsa rrugës, si në Murgë, takojmë ushtarët e armatosur e të uniformuar, si Musa Ramaj me shokë, ndërsa në shkollën e Obrisë, na pret drejtori i shkollës Mehmet Çerkini. Vazhduam më tej rrugës për në Rezallë e Likoc, ku vërejtëm një organizim të mirë ushtarak, duke njohur Ilaz Dërgutin, Afrim Gashin, Ahmet Drenica, nga Rezalla, në moshë etj. Ai sidomos, nuk donte të besonte se kishte rënë komandanti, duke dëshiruar që ai t’u printe deri në çlirimin e plotë të Kosovës. Ushtarët e atjeshëm, ishin shumë falënderues për vizitat dhe kujdesin e profesor Zekeria Canës në Zonat e Luftës. Pasi kishim kaluar natën në kullën e Hajzer Malajt, të nesërmen, 10 mars, së bashku me Ef. Osman Musliun dhe Murat Musliun, përshëndetemi me ushtarët, të cilët edhe na përcjellin për në Morinë, për të arritur në Prekaz, ka treguar Desku. Te depoja në Skenderaj, ku ishin të vendosura kufomat, pamë tmerr, të forcave barbare serbe, pasi ndër të rënët pamë të masakruar edhe axhën Shaban, aty pamë edhe Hamzën, sikur të kishte rënë në grykë të topit si dikur Mic Sokoli, aty e pamë komandantin legjendar, Adem Jashari, me një hije të rëndë që kujtonte Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, por që bënte dritë dhe dukej sikur të ishte gjallë e tek thoshte “VAZHDOJENI MË TUTJE LUFTËN”. Aty vinin shumë delegacione e qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës dhe ne, përpiqeshim, që sidomos fëmijëve, t’ua ndalonim që t’i shihnin ato pamje, e që ishte e pamundur. As fëmijët më nuk frikësoheshin, por përkundrazi kishin respekt për të rënët, të cilët i shikonin me admirim e pa ngurim. Por dukej qartë se u dhimbseshin që të gjithëve, sepse aty kishte edhe fëmijë. Në Skenderaj, pamë se kishte një organizim shumë të mirë të Këshillit të varrimit, në të cilin merrnin pjesë Rifat Bejta, Emin Halimi me bashkëshorten Ajnishahen, Hilmi Nuredini, Mon Veliu, Nazif Goxhuli, Xhafer Murtezi, Sadri Rama etj. Ishte kohë e ftohtë dhe me acar e ngrirje toke, që kishte rënduar hapjen e varreve, që edhe ashtu ishin shumë, por aty kishin kontribuar i madh e vogël, mirëpo, i njëjti Këshill i varrimit, merr vendim që varrimi të shtyhet për 11 mars, me arsyetimin se afro 20 kufoma ishin të pa identifikuara. Pra, duhej kohë që të kontaktojnë të afërmit për identifikimin e tyre, dhe ashtu ishte vendosur, rikujton veprimtari Cen Desku. Pas rrethimit, forcat e shumta të policisë serbe, morën kufomat te depoja, ndërsa ne mbetëm pa ditur saktë se çdo të ndodhte më vonë, duke menduar se ku do ta kalonim natën, sidomos ne që nuk ishim nga Drenica, pra edhe profesor Zekeria Cana! Ndërsa në ato momente, Rifat Bejta, na lut që të shkojmë në shtëpinë e tij në Prekaz, por, nuk mund të kishte siguri as për vete dhe as për ne, do të rrëfejnë bashkëbiseduesit tanë. Atëherë, veprimtari Emin Halimi, na priu për në qytezën e Skenderajt, drejt në banesën e Dr. Avdyl Salihut.
Dr. Z. Cana pati spikatur edhe ndaljet e bujtjet në Rezallë te plaku 97 vjeçar Hajzer Malaj, nga Rezalla, pastaj rrugën për Skenderaj, e nuk harron pa përmendur sjelljen e arkivoleve nga Gjakova dhe sidomos guximin e Qemajl Hajdaragës e siç e konsideron burrëreshën Mevlyde Saraçin. Profesor Z. Cana, rikujton kontaktet me Fetah Bekollin, Emin Halimin e bashkëshorten e tij Ajnishahen, Ilaz Dërgutin, Murat Musliun, hoxhën e Likocit etj. Forcat barbare serbe, më 10 mars kishin marrë arkivolet me dhunë dhe kishin rrafshuar varret me ekskavatorë, dhe se shumica e arkivoleve kishin mbetur të hapura.
Derisa në Skenderaj, nuk kanë arritur profesor Cana me bashkëpunëtorë, ne ishim të izoluar dhe madje as që guxonim të dilnim në rrugët e Skenderajt, do të rikujtojë Dr. Avdyl Salihu. Më 11 mars 1998, në këmbë, delegacioni në përbërje Dr. Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli, si dhe Sadri Rama, Emin Halimi, pastaj veterani i arsimit Sadri Rama (mik i familjes Jashari), babai i komandant Rrahman Ramës, Hilmiun, nga Klina e Drenicës, dhëndër i familjes Jashari, janë nisur nga zyra e Degës së LDK-së për në Prekaz.

Më 11 mars, Eminit dhe Rifatit, i propozuam, që t’i varrosim afër njëri tjetrit, bac Shabanin, Hamzën dhe Ademin.

Delegacioni, prirë nga profesor Cana, takohet edhe me Rifat Bejtën ciceron i pasluftës në Memorialin përkujtimor “Adem Jashari”, si dhe disa të rinj që kishin arritur nga lagja e Lushtakëve, për të marrë pjesë në varrimin e të rënëve./vijon.