Shkëndija hipotekon finalen e Kupës së Maqedonisë

01.03.2017 20:27:31

Shkëndija me një këmbë në finalen e Kupës së Maqedonisë. Skuadra tetovare triumfoi 3-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale në fushën e Vardarit dhe ka shansin e madh të mbrojë trofeun e fituar gjatë sezonit të kaluar.

Nëse hakmarrja është një pjatë që shijohet e ftohtë, futbolli bën përjashtime. Shkëndija nuk priti dhe u hakmorr menjëherë ndaj Vardarit, për humbjen 3-1 të pësuar të dielën e kaluar në kampionat, që kompromentoi shpresat e kuqezinjve në rrugën drejt titullit.

Në të 24-ën Besart Ibraimi kaloi Shkëndijën në avantazh me një gol të jashtëzakonshëm nga distanca, që befasoi portierin kundërshtar.

Ibraimi dyfishoi rezultatin me 11-metërsh edhe përpara pushimit ndërmjet pjesëve, ndërsa Vardarit nuk i shërbeu penalltia e debatueshme e akorduar në minutën e 50-të, me Felipen që ngushtoi diferencën.

15 minuta përpara fundit të kohës së rregullt, për Shkëndijën realizoi edhe Hasani që vulosi shifrat 3-1. Një gol që hipotekoi kualifikimin e tetovarëve në finalen e Kupës, pavarësisht se më 19 Prill kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e kthimit me Vardarin.