Shpërthejnë infektimet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por niveli i vdekjeve mbetet i qëndrueshëm

12.08.2021 08:16:47

Situata me infektimet nga Covid-19 në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut rezulton e frikshme. Në vetëm 24 orë, Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë me dije s kanë rezultuar 888 qytetarë të infektuar. Kjo shifër ka konkluduar pas kryerjes së 6.086 testimeve, ndërkohë që ministria e Shëndetësisë raporton edhe një person që ka humbur jetën nga ky virus, ndërsa 38 qytetarë janë shëruar. Një trend në rritje me personat e infektuar, është fakti që ata të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të kontingjentit të infektuar, janë moshat e reja. Kjo si pasojë e mos vaksinimit të kësaj grupmoshe, apo edhe neglizhencës së respektimit të masave. Sipas të dhënave të publikuar nga ministria e Shëndetësisë, grupmosha më e prekur në 24 orët e fundit është nga 20 deri në 29 vjeç, me 237gjithsej raste pozitive të kësaj grupmoshe. Pastaj, grupmosha më e prekur është 30-39 me 161 raste të konfirmuara gjithsej. Duke kaluar më pas, të grupmosha 40-49, gjithsej raste të konfirmuara 158. Grupmosha 10-19 vjeç, raportohet të kenë gjithsej 117 raste të konfirmuara. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në total numri i rasteve aktive është 2,640. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ditë më parë ka paralajmëruar masa për ata qytetarë që nuk marrin vaksinën antiCOVID-19. “Nuk mund të lejojmë që qytetarët të pa vaksinuar, për shkak të neglizhencës të kenë liritë e njëjta me ata që janë vaksinuar. Virusi Delta nuk po kursen tash as fëmijët. Janë shumë fëmijë të infektuar me valën e fundit dhe ky është një alarm për qytetarët që të jenë të ndërgjegjshëm”, ishte shprehur Vitia. Sipas tij, me paraqitjen e variantit Delta është e qartë se çdo masë konvencionale nuk do të ketë suksesin që kanë pasur para variantit Delta dhe në këtë drejtim ka rritur në 290 ekipe të vaksinimit në mbarë Kosovën. Ndërkohë ekspertët kërkojnë që masat të shtrëngohen, duke e parë këtë si formën e vetme që në bashkëpunim me vaksinimin masiv, mund të ndalë kurbën e infektimeve.

Maqedoni e Veriut

Gjendja paraqitet e rënduar edhe në Maqedoni, ku në vetëm 24 orë janë regjistruar 588 infektime të reja, nga 5.780 testime të realizuara. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se tetë pacientë kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit, ndërsa 26 pacientë kanë fituar luftën me Covid-19.

Këto shifra e çojnë numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 159.269, prej të cilëve 150.613 janë shëruar, ndërsa 5.521 kanë ndërruar jetë. Maqedonia ka mnarrë vendimin që të fusë në veprim masa të reja në përpjekje për të frenuar rritjen e numrit të infektimeve, ndërkohë që këto masa kanë nisur të japin efekt që tani me rritjen e iniciativës qytetare për tu vaksinuar. Sipas autoriteteve maqedonase, masat e reja që do të hyjnë në fuqi më 16 gusht janë: – Më 16 gusht 2021 futet vërtetimi i detyrueshëm për imunizimin e kryer, më së paku të një doze, me shërbime radar të detyrueshme për shkak të kontrollit të dëshmisë së treguar për vaksinim gjatë hyrjes në çfarëdolloj objekti në të hapur, përfshirë edhe në objektet hotelerike, ku janë të pranishëm më shumë se 30 persona, për çfarëdolloj gazmendi (kremtim, koncert, seminar, trajnim, punëtori, konferencë, ngjarje kulturore dhe sportive) në të hapur. Masa ka të bëjë për personat e moshës mbi 18 vjeç. – Deri më 15 gusht, të gjitha objektet hotelerike të regjistruara për ahengje mund të punojnë në të mbyllur, vetëm me respektimin e masave Kovid-19, duke plotësuar 40% të kapacitetit dhe më së shumti 250 klientë. – Për klubet e natës mbetet ndalesa për punë në pjesën e mbyllur të objektit. Lejohet të punojë në pjesën e hapur (veranda) me 50 të kapacitetit të hapësirës dhe me numër të kufizuar të klientëve më së shumti me 1.000 klientë. – Prej 16 gushtit tërësisht ndalohet puna dhe organizimi i i çfarëdolloj ngjarjeje në të mbyllur në objekte hotelerike (edhe në kafene), përfshirë edhe kremtime në objektet hotelerike të regjistruara për gazmende apo lloje të tjera të objektet të llojit të mbyllur. Gjendja është paraqitur e rënduar edhe në Malin e Zi. Autoritetet shëndetësore atje, kanë njoftuar se nga 3.336 testime të kryera kanë rezultuar 332 persona pozitive, 291 malazezë dhe 41 turistë.