Shqipëri/ Balla: Prova për fondet ruse; Çupi: Përralla! Pse u takua Rama me Tahirin

10.03.2018 16:54:52

Fondet ruse janë shndërruar në fushëbetejën e rradhës, ku dy partitë më të mëdha në vend PD dhe PS po përplasen, duke hedhur akuza tepër të forta në drejtim të dy kryetarëve respektivë, Lulzim Basha dhe Edi Rama.

PS ka vijuar edhe sot të kërkojë nga lideri i opozitës që t’i shpejgojë qytetarëve shqiptarë lidhjet e tij me lobistët rusë dhe financimet e tyre, ndërsa nga PD i janë kundërpërgjigjur duke kërkuar llogari për takimin midis kryeministrit Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kreu i Grupit të PS, Taulant Bala u prononcua për mediat nga Elbasani, duke thënë se “përbën një skandal të rëndë fakti që PD, kryetari i saj janë të përfshirë në një financim, jo vetëm të paligjshëm, por që dëmton rëndë sigurinë kombëtare, po të kemi parasysh dyshimet e thella dhe të rënda që kanë të bëjnë me një penetrim të financimeve ruse për bnjë parti politike në Shqipëri”.

Balla e vendosi theksin tek ekzistenca e fakteve që provojnë financimin e PD nga Rusia dhe kjo përbën një shqetësim madhor, sipas tij edhe për ndërkombëtarët.

“Gjithmonë financimi i partive politike ka qenë një shqetësim i ngritur dhe nga BE dhe partnerët tanë, por fakti që partia më e rëndësishme në opozitë, Partia Demokratike, tashmë me fakte konkrete ka marrë financime ruse, ky është një akt tepër i rëndë”, nënvizoi Balla.

Ndërkohë një tjetër qëndrim ka PD për këtë çështje. Që prej publikimit të një investigimi nga revista Mother Jones, që hedh hije dyshimi mbi lidhje ruse të lobuesit të demokratëve në Amerikë, selia blu e quan çështjen si të sponsorizuar nga Qeveria Rama, për të hequr vëmendjen nga ato që opozita i cilëson si lidhje të pushtetarëve me botën e krimit.

PD iu përgjigj PS me deputeten Dhurata Çupi, e cila qëndroi brenda frontit të betejës që ka përcaktuar forca politike ku ateron, duke e vendosur theksin tek bashkëpunimi i ngushtë i qeverisë me krimin e organizuar.

Duke i quajtur akuzat e PS si përralla me rubla ruse, Çupi kërkoi nga selia blu që kryeministri Edi Rama të japë shpjegime për një takim që sipas tyre ka zhvilluar të premten me Saimir Tahirin, në një spital privat në Tiranë.

“Edi Rama duhet të tregojë se për çfarë kanë biseduar për më shumë se 1 orë me ish Ministrin e tij të Brendshëm, i akuzuar për trafik droge. Edi Rama nuk e dorëzon dot as Saimir Tahirin, as Olsi Ramën as Agron Xhafajn, se pastaj do t’i duhet të dorëzohet vetë. Këtë fakt nuk mund ta fshehë as Edi Rama, as matrioshkat e tij, që me përralla me rubla ruse, përpiqen më kot të fshehin të vërtetat kriminale të kryeministrit të vendit”, tha Çupi.