Shqipëri/ Mungesa në seancë, opozita: Anuloni votimin për Teatrin. Reagon Balla

09.07.2018 10:58:35

Në seancën e jashtëzakonshme në Parlament, ku pritet të miratohen disa ligje të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar, opozita është përfaqësuar vetëm nga krerët e grupeve parlamentare, Edmond Spaho nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI.

Ata kanë kërkuar që të kthehet ligji për shembjen e Tetarit, pasi sipas tyre rezultati i votimit të së enjtes është manipuluar, pasi ka rezultuar se një nga deputetët e opozitës ka votuar për këtë projektligj, ndërkohë që nuk ka qenë i pranishëm në sallën e kuvendit

“Të mos bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, seanca e fundit parlamentare ku u votua ligji për teatrin është nul dhe kryetari i Kuvendit duhet të marrë në shqyrtim pretendimet e opozitës”, – u shpreh Vasili.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar demokrat, Spaho tha: “Opozita mungon në seancën e sotme sepse të enjten u krye votimi për shembjen e godinës së teatrit, por edhe vetë procesi i ligjit ka pasur defekte, sepse rezultati është manipuluar. Një deputet pa qenë në sallë, rezulton të ketë votuar pro ligjit për teatrin. Po ashtu, ne jemi privuar për të folur. Kërkesa jonë për ta rivotuar ligjin u bë para dy ditësh, pasi çështja është e rëndësishme, për një ligj special, ndaj e para gjë që duhej të bënte Kuvendi, duhej të ishte verifikimi i pretednemtimeve të opozitës për të parë çfarë ka ndodhur. Ndaj ne si opozitë nuk marrim pjesë në seancën e sotme pasi gjendje të tilla në Kuvend po bëhen të zakonshme. Opozita jo vetëm po privohet nga e drejta e fjalës, por po falsifikohen edhe ligje”.

Kreu i Kuvendit Ruçi ka reaguar dhe ka theksuar se çështja do të shqyrtohet ditën e sotme, pasi sipas tij pikërisht sot është marrë në dorë dokumentacioni. “Më pas do të japim vendimin”, – shtoi Ruçi.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, nënvizoi se nuk është ligji për teatrin mungesa e opozitës në Parlament. “Nga ana e grupit parlamentar socialist, nuk ka pasur asnjë deputet që të ketë votuar për një deputet tjetër. LSI e PD kanë detyrimin për t’i thënë opinionin e vërtetë publikut për bojkotin e kësaj seance. Bojkoti i opozitës s’ka lidhje me votimin për teatrin. Çështjes do t’i shkohet deri në fund. Ky është një ‘fake neës’. Ky është një skenar i opozitës për të prishur votimin”.