Shqipëri: Sajmir Tahiri: Katania 4 vjet hetime dhe asnjë akuzë kundër meje

24.10.2017 15:22:32

Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka akuzuar Prokurorinë dhe opozitën se ndaj tij po zhvillohet një gjyq politike dhe juridik në lidhje me akuzat për përfshirjen e tij me bandën e Habilajve në trafikun e drogës.

Ai ka paraqitur para mediave në një konferencë për shtyp një dokument, që sipas tij ka ardhur nga Prokuroria e Katanias, nga ku rezulton se nuk ka të hapur asnjë dosje hetimore ndaj tij.

“Nëse politika ka gjetur rastin të hedhë llumë ndaj meje, unë them rrini pa asnjë merak, do e përballoj edhe këtë. Politika po hedh llumin e 25 viteve urrejtje ndaj meje. Nuk dua të ma falë të vërtetën asnjë. Brenda 48 orëve sigurova këtë dokument nga Prokuroria e Katanias, që thotë se sa më përket mua, nuk rezulton sot dhe më herët të kem pasur sot dhe ndonjëherë më parë procedim penal nga Prokuroria e Katanias, – u shpreh deputeti. – Prokuroria e Katanias në 4 vjet nuk ka gjetur asnjëherë, një lidhje të vetme qoftë edhe të largët për të nisur një procedim penal ndaj meje. Atëherë si ka mundësi që Prokuroria jonë, me letra publike nga media kërkon arrestimin tim? Kaq të vështirë e kishte prokuroria jonë të mësonte këtë letër që kam siguruar unë për 48 orë?”.

Tahiri sulmoi opozitën duke thënë se “Luli dhe Monika janë të parët si kukullat ekzemplare të shefave të tyre që bënë parashikime absurde. Ku kishte parashikime se do ketë tërmet nga BE-SHBA. Unë nuk do bëj asnjë ditë luftë politike për këtë çështje. Kam kërkuar të mos fshihem asnjë ditë pas partisë, Kuvendit, pushtetit, imunitetit, kam kërkuar të bëj betejën time edhe i vetëm dhe unë do e fitoj betejën time me drejtësinë përballë bandës së llumit të rrugës”.

Tahiri më tej mohoi t’i ketë bërë presion kryeministrit Rama për ta mbrojtur dhe shtoi se nuk e cilëson surprizë nga Grupi Parlamentar socialist.

“Këto janë përralla që e konceptonë politikën si lidhje konjukturash. Mua në PS më ka bashkuar vetëm e vërteta. Nuk kam kërkuar mbrojtjen e askujt. Nuk dua mbrojtje falas nga askush. Unë them se në PS kam ca vlera, ku nuk më përjashton dot njeri. Përjashtimin nga grupi i PS nuk e quaj surprizë”, – deklaroi ish-ministri i Brendshëm.