Shqipëri/ Sezoni turistik, Rama: Të zgjidhet problemi i zhurmave në plazhe

13.04.2018 18:41:37

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me kryetarët e bashkive dhe prefektët për të folur lidhur me zhvillimin e turizmit dhe planin e masave në kuadër të sezonit turistik që është në prag.

Rama ka theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit më të ngushtë mes Ministrisë së Mjedisit dhe pushtetit vendor, shoqëruar kjo me masa mbështetëse për bashkitë, në mënyrë që sipas tij të shkohet përtej prenotimit të një hoteli, por turisti të ketë mundësi të shijojë edhe pjesën kulturore, argëtuese të vendit ku ka prenotuar.

“Kam bindjen se ky do të jetë një vit me një cilësi të re, ashtu siç kam bindjen se bashkëpunimi me pushtetin lokal në kuadër të veprimtarive kulturore, argëtuese në mënyrë që të shkohet tej prenotimit të një hoteli. Do të kemi masa mbështetëse për bashkitë. Bashkëpunimi i Ministrisë së Mjedisit me pushtetin vendor është një domosdoshmëri.

Nëse një nga problemet më të mëdha të sezonit tonë turistik janë zhurmat, kjo nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme por duke zgjedhur në secilën bashki, zonat dhe oraret, në mënyrë që jashtë këtyre zonave dhe orareve të mos shqetësohet njëri dhe ata që duan zhurmë të mund ta kenë atë”, tha mes të tjerash Rama.

Sipas tij, “kush do të kënaqet me zhurmë gjithë natën, ta ketë këtë mundësi me pika të specifikuara dhe jashtë zonave të pushuesve. Kemi dhe disa ditë për të vendosur çdo pikë mbi i. Zhurmat do të ndëshkohen në mënyrë ekstreme, pas 1 qershorit, kjo vlen ehde për subjektet që derdhin ujëra të zeza në lumenj dhe det. Sa për pastërtinë, turizmi nuk është një aktivitet i izoluar dhe njerëzit që vijnë në Shqipëri, meritojnë të kenë një mjedis të pastër, edhe përgjatë akseve ku ata lëvizin”.