Shqipëria përgatitet për dasmën historike mbretërore

05.10.2016 22:11:02

Princ Leka, nipi i Mbretit Zog, do të martohet këtë fundjavë në Tiranë në dasmën e dytë mbretërore të Shqipërisë, që monarkistët shpresojnë do të ringjallë trashëgiminë e monarkisë shqiptare.

Më 27 prill 1938, Shqipëria organizoi dasmën e parë mbretërore, kur Mbreti Zog u martua me aristokraten hungareze Geraldine Apponyi de Nagy-Appony.

Dasma, e mbajtur në Tiranë, ishte ngjarja më glamuroze që kishte parë ndonjëherë vendi; dhjetëra mijëra shqiptarë festuan në rrugë dhe shumë gazetarë të huaj nga çdo kontinent erdhën të raportojnë për dasmën. I dërguari i Musolinit ishte dëshmitar dhe Hitleri i dhuroi çiftit një Mercedes si dhuratë martese.

Një vit më vonë në prill 1939, kur forcat fashiste italiane pushtuan Shqipërinë, Mbreti Zog dhe familja e tij lanë vendin dhe jetuan për dekada në azil.

Tani, 78 vite më vonë, nipi i Mbretit Zog, Princ Leka do të martohet në Tiranë më 8 tetor në dasmën e dytë mbretërore të shtetit – një ceremoni që organizatorët kanë premtuar që do të jetë e mbushur me madhështi mbretërore.

Princ Leka erdhi në Shqipëri në 2002 pasi që kaloi fëmijërinë e tij në azil në Afrikën Jugore, dhe më pas punoi në pozita këshilluese në ministrinë e jashtme dhe presidencën shqiptare.

Në dy vitet e fundit, ai ka menaxhuar pronat e familjes së tij dhe fondacionin e Mbretëreshës Geraldine, që mbështet familjet e varfra, jetimët dhe fëmijët në nevojë.

Ai do të martohet me të fejuarën e tij, aktoren shqiptare Elia Zaharia; përgatitjet për dasmën filluan muaj më parë dhe një uebfaqe ka ushqyer me detajet më të fundit të ngjarjes ata që janë të interesuar.

Organizatorët kanë premtuar që përfaqësues të rreth 20 familjeve mbretërore nga e gjithë bota do të vizitojnë Shqipërinë për dasmën, por emrat e tyre po mbahen të fshehura për arsye sigurie.

Sulejman Gjanaj, kryetari i Lëvizjes së Legalitetit, një parti monarkiste e vogël e djathtë që mbështet familjen mbretërore shqiptare, tha për BIRN që dasma do të vërtetojë statusin e mbretërisë shqiptare dhe do të sigurojë trashëgiminë e Mbretit Zog.

“Fakti që mbi 20 familje mbretërore dhe më shumë se 100 aristokratë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në dasmë është një tregues i miratimit që ka mbretëria shqiptare,” tha Gjanaj.

“Kjo është përgjigja më e mirë për të gjithë ata që kanë falsifikuar historinë e shtetit tonë dhe i kanë mohuar të drejtat legjitime të familjes mbretërore,” shtoi ai.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët morën pushtetin, Mbreti Zog dhe familja e tij u konsideruan tradhtarë dhe u larguan nga librat e historisë.

Gjanaj tha që beson që Princi Leka, njëjtë si gjyshi i tij Mbreti Zog dhe babai i tij Mbreti Leka, do të kërkojë të kontribuojë në vendin e tij.

“Edhe me dasmën e tij, Princ Leka ka tentuar të kujdeset për Shqipërinë, ta sjelli në nivelin më të lartë të aristokracisë botërore dhe shërben në përmirësimin e imazhit të shtetit në botë,” tha ai.

Familja mbretërore shqiptare nuk ka ndonjë status special ose rol zyrtar në shtet sot por anëtarët e saj ftohen në ceremoni shtetërore.

Disa shqiptarë i thanë BIRN që ishin të entuziazmuar nga dasma e Princ Lekës.

“Gjyshi i tij [Mbreti Zog] ka kontribuar shumë në Shqipëri dhe ka ndërmarrë reforma për të përmirësuar ekonominë e shtetit dhe për të reformuar jetën shoqërore të shtetit. Nuk duhet të harrojmë që Mbreti Zog, një mysliman, u martua me një grua katolike, duke hapur rrugën për tolerancë fetare në shtet,” tha Fatmir Qafa, një pensionist 70-vjeçar.

“Shqiptarët gjatë kohës së tij ishin shumë më të lirë se nën komunizëm. Por komunizmi u mundua të shtrembërojë karakterin e tij,” shtoi ai.

Bujar Nazimi, 58 vjeçar, tha që është i lumtur që princi zgjodhi aktoren Elia Zaharia për grua.

“Pasi që zgjodhi Elian, unë e respektoj atë më shumë. Ajo vjen nga një familje e njohur artistësh dhe duket si vajzë e mirë,” tha ai.

Por gjeneratat e reja që kanë më pak njohuri për historinë e shtetit duken më pak të interesuar për ngjarjen.

Ersi, 16 vjeçare, i tha BIRN që ajo nuk e dinte që Princi Leka po martohej ose që kishte një të fejuar për një kohë të gjatë.

“E di paksa që kemi pasur një mbret dhe që Princ Leka është pasardhësi i tij, por unë nuk di asgjë për jetën e tij personale,” tha ajo.

“Por tani kam filluar të jem kureshtare dhe do të kërkojë në internet të mësoj për familjen mbretërore shqiptare,” shtoi ajo.

Mbreti Zog lindi si Ahmet Muhtar Zogolli në fshatin Burgajet, afër Burrelit në Shqipërinë veriore më 8 tetor 1895. Ai më vonë ndryshoi mbiemrin e tij në Zogu.

Në moshë të hershme, ai shfaqi veten si një politikan të shkathët, kur në 1922 ai u zgjodh kryeministër.

Nga 1924 deri në 1928 ai shërbeu si president i vendit, dhe në 1928 e shpalli veten mbret.

Ai ishte mbret deri në prill 1939, pastaj jetoi në azil deri në vdekjen e tij në Paris më 9 prill, 1961