Sipas aktakuzës, i akuzuari Dikton Zariqi më 1 nëntor 2015 në Prishtinë ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, në atë mënyrë që duke lëvizur ka rrezikuar trafikun publik dhe ka venë në rrezik jetën dhe trupin e njerëzve, gjë që ka rezultuar me vdekjen e një personi – Milot Bajramit.
Po ashtu, sipas aktakuzës, përkundër faktit se me automjetin e tij e ka goditur tani te ndjerin Bajrami, i cili kishte marrë lëndime për vdekje, i akuzuari nuk është afruar t’i japë ndihmën e nevojshme pas aksidentit.
Në seancën e sotme, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit, dhe i pyetur nga gjykatësi i rastit Arben Hoti se a e ka kuptuar aktakuzën dhe a e ndien veten fajtor, i akuzuari tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe se nuk e ndien veten fajtor.
“Më vjen keq për atë qe ka ndodhur. Familjes së të ndjerit i shpreh ngushëllime”, deklaroi i akuzuari Zariqi.
Pas deklarimit dhe mospranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjyqtari i rastit Arben Hoti e caktoi seancën e dytë për më 27 prill 2016, ku palët do t’i paraqesin kundërshtimet e tyre.
Pas deklarimit te akuzuarit lidhur me fajësinë, Asdren Hoxha, avokati i palës se dëmtuar, për KALLXO.com deklaroi se është befasues mospranimi i fajësisë nga ana e të akuzuari për dy pikat e aktakuzës.
“Në rrethana të tilla, duke pasur parasysh ekzistimin e të gjitha provave konkrete, ishte befasues deklarimi i të akuzuarit, i cili është deklaruar i pafajshëm për të dy pika të aktakuzës, ngase të gjitha provat edhe shkresat e lëndës, siç është ekspertiza e komunikacionit, e ka lënë fajtor 100% të akuzuarin, pastaj është alkool-testi i cili ka konstatuar se në gjakun e tij kishte 0.79 promilë alkool në momentin e ngasjes së veturës, sikurse edhe fakti se ai nuk i ka ofruar ndihmën personit të aksidentuar në aksidentin që e ka shkaktuar ai”, tha avokati Hoxha.