Shqiptarët e arrestuar me 1.8 ton drogë, sipërmarrës ndërtimi në Itali

13.08.2016 21:06:50

Prokuroria e Pesaros ka deklaruar sot se droga e sekuestruar një natë më parë në brigjet e komunës së Fanos nga një gomone që vinte nga Shqipëria, është ngarkesa më e madhe me lëndë narkotike e kapur ndonjëherë në këtë provincë. Sasia prej 1.8 ton marijuanë do të kushtonte në treg 6 deri në 18 milionë euro. Në një deklaratë për mediat gjatë ditës së sotme, autoritetet e Prokurorisë së Pesaros janë shprehur se 5 shqiptarët e arrestuar për marijuanën, janë prej vitesh rezidentë në Itali dhe gjithashtu ishin sipërmarrës në disa shoqëri të vogla ndërtimi në shtetin italian.

Hetimet për operacionin në fjalë kishin nisur nga viti 2014, pasi në brigjet e Civitanova Marke, Porto Rekanati, Porto Potenza Picena, Marzoka e Senigalia janë gjetur disa pako marijuanë të dala nga deti, për shkak të humbjes së ngarkesës gjatë rrugës. Prej këtij momenti, policia italiane e ka mbajtur nën kontroll territorin. Prokuroria e Pesaros ka komunikuar se ngarkesa e marijuanës ishte vendosur në disa pako të vogla dhe ishte mbyllur në mënyrë hermetike. Sipas prokurorisë, mbi pakot e marijuanës ishte shënuar edhe emri i qytetit italian ku do të dërgohej sasia e drogës.

Gjithashtu mësohet se organizata kriminale ku bënin pjesë 5 shqiptarët ishte e organizuar mjaft mirë dhe kishte pasur edhe objekte kundër përgjimeve të policisë. Autoritetet italiane theksuan se hetimet nuk janë mbyllur, pasi po punohet për identifikimin e qartë të rrjetit të trafikantëve. Kjo, pasi me 5 shqiptarët mund të jenë të lidhur edhe persona të tjerë.