Shqiptarët e Kosovës po kthehen vullnetarisht nga Gjermania

28.12.2016 11:05:56

Numri i emigrantëve që vullnetarisht po e lënë Gjermaninë për t’u kthyer në vendet e tyre të lindjes po shkon duke u rritur dhe policia vazhdimisht e më shumë po refuzon hyrjen e njerëzve nëpër kufij, shkruajnë mediat gjermane të mërkurën duke cituar statistikat zyrtare.

Deri më tani këtë viti, rreth 55.000 emigrantë kanë lënë Gjermaninë vullnetarisht për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës, që shënon edhe shifrën më të lartë në 16 vjetët e fundit, shkruan e përditshmja gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Këto shifra pothuajse kanë dyfishuar numrin e deportimeve të dhunshme të rreth 25.000 emigrantëve gjatë këtij viti.

Shumica e emigrantëve vijnë nga Ballkani Perëndimor, me rreth 15.000 të kthyer në Shqipëri deri në muajin nëntor. Kjo është pasuar edhe me nga 5 mijë emigrantë tjerë të kthyer vullnetarisht në Kosovë, Serbi dhe Irak. Shifrat e publikuara janë të bazuara në dokumentet e brendshme nga Zyra Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF) në Gjermani.

Njerëzit nga Ballkani kanë pak shanse për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Gjermani. Duke u kthyer vullnetarisht në vendet e tyre të origjinës, ata shmangin deportimin e dhunshëm dhe ndalimin e përhershëm për hyrje në Gjermani.